Share on

Facebook

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit Mban Takim me Shoqërinë Civile dhe Mediat

Prizren, 09 Janar 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka mbajtur tryezë diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, ku para tyre ka prezantuar “draft/planin e punës për Prokurorinë Themelore të Prizrenit për vitin 2025”.

 

Kryeprokurori Kryeziu, para të pranishmëve theksoi se kjo tryezë ka për qëllim të paraqesë në mënyrë të strukturuar objektivat dhe planin e veprimit për periudhën Janar – Dhjetor 2025.

 

Në takim, Kryeprokurori Kryeziu, potencoi se plani i punës për vitin 2025 mes tjerash ka për qëllim ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies si dhe rritjen e besimit të publikut.

 

Ai, theksoi se plani i punës në vete përmban organizimin e prokurorisë dhe përmban njëzet objektiva, ku bëri një prezantim të shkurtër për secilën objektivë veç e veç, ku ndër të tjera theksoi se pesë objektivat kryesore për vitin 2025 do të jenë:  luftimi i veprave penale kundër korrupsionit, fajdeja, narkotikët, dhuna në familje dhe krimet kundër mjedisit

 

Gjithashtu, në këtë takim ishin të pranishëm edhe prokurorë përfaqësues nga tri departamentet e kësaj prokurorie.

 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave, patën mundësinë që të japin vërejtje dhe rekomandime për planin e punës së prokurorisë.

 

Të pranishmit vlerësuan se diskutimet e tilla janë të mirëseardhura dhe janë në interes të përgjithshëm për luftimin e veprave penale që janë nën kompetencën ligjore dhe territoriale të Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Të pranishmit parashtruan pyetje lidhur me çështje të ndryshme që kjo prokurori i ka në trajtim,  për të cilat morrën përgjigje nga Kryeprokurori Kryeziu

 

Kryeprokurori Kryeziu, falenderoi të pranishmit për kontributin e tyre, ku njëkohësisht u zotua se rekomandimet e marra gjatë këtij takimi do të shqyrtohen për përfshirjen e tyre si pjesë e planit final të punës, i cili do hartohet nga kjo prokurori.