Share on

Facebook

Fjala e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj në konferencë për media

Prishtinë 30 dhjetor 2024

Të nderuar të pranishëm, të respektuar përfaqësues të medias, të drejtësisë, kolegë dhe miq të çmuar,

Mirë se keni ardhur në këtë konferencë të fundvitit, një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi punën tonë dhe për të përcaktuar rrugëtimin tonë për vitin që po vjen. Prania juaj këtu sot është një dëshmi e përkushtimit tuaj për drejtësinë dhe sundimin e ligjit, dy shtylla kyçe që përbëjnë themelet e shoqërisë sonë demokratike.

Viti që po e lemë pas ka qenë sfidues por gjithashtu edhe me të arritura të rëndësishme për PSRK-në.

– Prokuroria Speciale ka përballur me guxim dhe profesionalizëm  disa nga rastet më komplekse  dhe delikate që prekin shtetin dhe shoqërinë tonë. Ne kemi punuar pa kompromis për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për ti mbrojtur të drejtat e njeriut. Këto sfida nuk janë vetëm profesionale por edhe morale duke na kërkuar të mbetemi të palëkundur në misionin tonë.

– Angazhimi në drejtësi ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me partneret ndërkombëtar  ka qenë një shtyllë themelore në punën tonë. Këto përpjekje kanë forcuar imazhin e Kosovës si një shtet që respekton dhe mbron standardet dhe vlerat ndërkombëtarë.

– Puna për një sistem më transparent dhe llogaridhënës përmes rritjes së komunikimit me publikun dhe institucionet relevante ka ndihmua në rritjen e besimit të publikut.

– E kuptojmë se suksesi i PSRK,  varet nga bashkëpunimi me të gjithë ju – gjyqtaret, avokatët, policinë, partneret ndërkombëtar dhe shoqërinë civile. Ju falënderoj për mbështetjen e tuaj të vazhdueshme.

Synimi jonë është të vazhdojmë të promovojmë barazinë  para ligjit dhe të sigurojmë qe secili qytetar i Kosovës, të ndihet i barabartë para ligjit.

Në veçanti, dua të theksoj se puna jonë këtë vit ka qenë në harmoni me prioritetet e shprehura në raportet dhe rekomandimet ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës në raportin e tij të fundit vlerëson progresin e bërë nga institucionet tona, përfshirë Prokurorinë Speciale, si prokurori kompetente për lufte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të niveli të larte, por njëkohësisht na kujton se ky progres duhet të përshpejtohet dhe të thellohet. Ky vlerësim është një motivim i fuqishëm për ne që të intensifikojmë përpjekjet tona në këtë drejtim.

Në këtë kontekst, më lejoni të theksoj disa nga të arriturat dhe prioritetet e këtij viti:

  1. Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor. Gjatë këtij viti, kemi ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë, duke dëshmuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe njëkohësisht kemi në proces edhe raste tjera të nivelit të tillë të cilat janë duke u trajtuar me profesionalizëm dhe seriozitet të lart.
  2. Hetimi dhe ndjekja e rasteve të krimit të organizuar, në përputhje me standardet ndërkombëtare, është intensifikuar. Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e këtyre rasteve, por kemi dëshmuar përkushtim për t’i adresuar me seriozitet maksimal. Po i potencoj disa raste konkrete të këtyre aktiviteteve:
  3. a) Operacioni i përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet homologe nga Republika e Maqedonisë së Veriut, me ndihmën e Evropolit dhe Eurojust, për vepra penale të falsifikimit të parave, vepër e kryer në formë të krimit të organizuar, i cili rezultojë me sukses ku u arrestuan disa persona në të dy shtetet.
  4. b) Operacioni i përbashkët i PSRK, me Republikën e Shqipërisë, i zhvilluar para pak ditësh për vepra penale të trafikimit me armë si formë e krimit të organizuar, me ç’rast u arrestuan disa persona në Kosovë dhe Shqipëri, dhe njëkohësisht u  sekuestruan disa dhjetëra armë të llojeve të ndryshme.
  5. c) Operacioni i përbashkët i para pak ditëve mes Prokurorisë Speciale të Kosovës, SPAK dhe FBI, që rezultoi me arrestim e (tre) shtetaseve kosovar dhe (një) shtetas nga Republika e Shqipërisë, të cilët përmes platformave të mashtrimit Online kanë vjedhur të dhëna të shumta të qytetareve amerikan, nga të cilat kanë realizuar dobi pasurore të kundërligjshme përfshirë edhe investimet në kriptovalut.
  6. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë ka qenë thelbësor në luftën kundër rrjeteve kriminale transnacionale. Puna jonë është një shembull i qartë se bashkëpunimi dhe ndarja e informacionit japin rezultate të prekshme.

Në saje të përkushtimit të lidershipit dhe prokurorëve të PSRK-së kemi arritur që në kuadër të Departamenteve tona të organizojmë punën, të zhvillojmë hetime, të ngrisim aktakuza dhe përfaqësojmë ato për raste të ndjeshme të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës, krimit financiar dhe terrorizmit.

Departamentet e Prokurorisë Speciale kanë pranuar dhe zgjidhur rastet e evidentuar në regjistrat përkatës, respektivisht regjistrit me kryerës të njohur, regjistri me kryerës të panjohur dhe regjistri për lëndë penale të ndryshme.

Sipas të dhënave të fundit gjatë vitit 2024 në Prokurorinë Speciale në të gjithë regjistrat janë pranuar në punë 481 raste ndërsa janë kryer 230 raste. Lidhur me këtë vetëm në regjistrin me kryerës të njohur janë zgjedhur raste ndaj 674 personave.

Lidhur me të dhënat statistikore, ju njoftojmë se me të detajuara do ti gjeni në web faqen e sistemit prokurorial, posa të njëjtat të përpunohen në tersi ne muajin janar të vitit 2025.

Një punë e mirë që është bërë këtë vit, janë edhe rastet e shenjestruara, ku vetëm në vitin 2024 kemi shënjestruar 8 raste të reja, ndërsa janë ngritur 9 aktakuza,  përkatësisht që nga fillimi i shënjestrimit disa vite më parë e deri më tani janë shenjestruar 97 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Statistikat tregojnë se lidhur me këto raste është bërë dhe po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe në kuadër të kësaj janë :

 

€ 30,336,842.75 € 41,028,206.65  

€ 5,087,915.10

723,326.080 2,125.233
NGRIRJE SEKUESTRIM KONFISKIM MARRËVESHJE PËR PRANIMIN E FAJËSISË DROGË
VLERA NË EURO (€) VLERA NË EURO (€) VLERA NË EURO (€) VLERA NË EURO (€) SHIFRA NË KILOGRAM (kg)

 

Të nderuar të pranishëm,

Ndonëse jemi krenarë për këto arritje, njëkohësisht jemi shumë të vetëdijshëm se ende kemi shumë për të bërë.

Për të arritur standardet më të larta të sundimit të ligjit, duhet të fokusohemi në forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e një kulture të fortë të integritetit.

Duke parë drejt vitit të ardhshëm, kemi disa objektiva të qarta:

  • Të thellojmë përpjekjet për ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës dhe terrorizmit, duke përfshirë hetime më proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional më të efektshëm.
  • Të vazhdojmë të harmonizojmë praktikat tona me rekomandimet ndërkombëtare.
  • Të sigurojmë që institucioni ynë të ofrojë trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.

Në përmbyllje, më lejoni të theksoj se puna jonë nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e ligjit, por edhe me ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndershme. Ky është një mision që na kërkon të gjithëve të bashkëpunojmë dhe të tregojmë përkushtim maksimal.

Në fund dua të shpreh falënderimin tim për të gjithë bashkëpunëtorët e mi, prokurorë dhe personel administrativ me të cilët së bashku arritëm të shënojmë sukseset e Prokurorisë Speciale për vitin 2024.

Ju falënderoj juve media që keni qenë dhe jeni zë koherent për të gjitha zhvillimet dhe punën tonë.

Përfundimisht dua të sigurojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ne do të vazhdojmë punën dhe luftën tonë pa kompromis kundër të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin pa dallim, pa marrë parasysh pozitën dhe rolin që kanë në pushtet apo jashtë tij.

Ju uroj një Vit të Ri të mbarë të gjithëve, duke ju dëshiruar shëndet dhe çdo të mirë!

Faleminderit për vëmendjen e treguar!