Zyra E Kryeprokurorite Aktivitetet Single - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurori i Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Prishtinë, 7 maj 2020 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërinstitucional, me anë të së cilit synohet të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellët në ngritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

Qëllimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është që përmes përpunimit të raporteve të rregullta, ATK-ja në bazë të kompetencave ligjore do të pajisë Prokurorin e Shtetit me të dhëna dhe informacione të mjaftueshme për persona fizik dhe persona juridik që dyshohen që kanë kryer vepër penale, kur nga analiza elektronike e sistemit informativ identifikohet ose konstatohet çdo shpërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të subjekteve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në shumën prej 30,000 Euro e me shumë për pasurinë e luajtshme, dhe në shumën prej 60,000 Euro e më shumë në pasurinë e paluajtshme.

Evidentimi nga ATK me këto informacione do t’i shërbejnë Prokurorit të Shtetit si indikacion fillestar për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale të cilat ndiqen sipas legjislacionit në fuqi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se ky memorandum është i bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe do t’i shërbejë Prokurorit të Shtetit dhe ATK-së për t’i evidentuar të gjithë ata persona apo grupe të caktuara, të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme, e që të njëjtit do të ndjekjen penalisht për veprimtaritë e tyre kriminale.

Ndërkaq, Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka deklaruar se do ti përmbahen në përpikëri këtij memorandumi të bashkëpunimit duke i ofruar të gjitha informatat e nevojshme Prokurorit të Shtetit në rastet kur evidentohen se ka shpërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të personave fizik dhe atyre juridik.

Po ashtu, me anë të këtij memorandumi, mundësohet një komunikim më i drejtpërdrejt, i vazhdueshëm dhe i pandërprerë ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe ATK-së, duke nxitur kështu shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencën mbi çështjet që ndërlidhen me luftimin e veprave të ndryshme penale, në mënyrë që të mbrohen interesat e përgjithshme publike të qytetarëve, ekonomisë dhe sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Ky memorandum i bashkëpunimit në mes të Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës është mbështetur nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, e cila përmes praktikave me të mira nga shtetet e BE-së ka ndihmuar në draftimin e këtij memorandumi, dhe me përkrahje në asistencën teknike dhe nevojave teknologjike do të mundësoj zbatimin fillestar të tij.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

slider-img