Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i parë i Grupit punues për vlerësimin e sistemit disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë, 15 maj 2023 – Në kuadër të aktiviteteve që dalin nga Deklarata e përbashkët e zotimit për reformën ligjore në sistemin e drejtësisë në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, Grupi punues për vlerësimin e sistemit disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i kryesuar nga prokurori Arian Gashi, ka mbajtur takimin e parë, në të cilin morën pjesë anëtarët e këtij grupi dhe partnerët ndërkombëtarë.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi për orientimin e veprimeve të cilat do të ndërmerren në të ardhmen nga ana e këtij grupi punues. 

Rrjedhimisht, pjesëmarrësit janë pajtuar për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe në këtë kontekst, kanë theksuar se ky grup punues do të takohet përsëri pas pranimit të raporteve të vlerësimit nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë, për të avancuar më tutje këtë proces të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë.