Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori Shala priti në takim Policinë e Kosovës për regjionin e Prizrenit


Prizren, 11 tetor 2021 -  Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, z.Admir Shala së bashku me disa nga prokurorët e kësaj prokurorie, kanë pritur në një takim pune Drejtorin e Policisë Rajonale të Prizrenit z.Faton Alija, komandantët e Stacioneve Policore për regjionin e Prizrenit si dhe shefat e hetimeve, me ç’rast kanë diskutuar për tema me interes të përbashkët institucional. 

Temë diskutimi e këtij takimi ishte bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve përmes planeve të përbashkëta të këtyre dy institucioneve, të cilët njëherësh edhe e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm, në funksion të fuqizimit të luftës kundër kriminalitetit.

Gjithashtu, u diskutua edhe çështja rritjes së cilësisë së hetimeve, dhe siguria në rajonin e Prizrenit. Ndërsa, u kërkua që të trajtohen me prioritet rastet e vjedhjeve, grabitjet, krimi i organizuar, duke mos përjashtuar edhe rastet e tjera kriminale.

Po ashtu, u kërkua që të respektohen afatet kohore që kanë të bëjnë me personat e ndaluar, dërgimi me kohë i kallëzimeve penale, si dhe sigurimi i provave që kanë të bëjnë me veprat penale dhe të njëjtat të dorëzohen me kohë duke pasur parasysh afatet kohore të cilat janë të përcaktuara me ligj.


Takimi rezultoi me gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe vazhdimin e takimeve të rregullta, me qëllim të luftimit të kriminalitetit si dhe fuqizimit të efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së këtyre dy institucioneve.