Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohen rastet e dhunës në familje me përfaqësues nga Ambasada Amerikane


Prishtinë, 22 korrik 2021 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Kujtim Munishi, ka pritur në takim Zëvendës Kryeprokuroren e Shtetit, znj. Sevdije Morina, Shefin e Departamentit të Drejtësisë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, z. John Hanly, dhe Udhëheqëse e Programit për Mbrojtjen e Viktimave nga ky institucion, znj. Eliza Shporta.

Në këtë takim të pranishme ishin edhe prokuroret përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, znj. Shenaj Berisha, znj. Edina Jupolli dhe znj. Mimoza Shala.

Fillimisht temë diskutimi ishte situata aktuale e dhunës në familje dhe trajtimi i rasteve të natyrës së njëjtë nga institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë. Kryeprokurori Munishi prezantoi për të pranishmit strukturën organizative dhe funksionimin e Njësitit të Dhunës në familje brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Fokus i këtij takimi ishte shkëmbimi i praktikave të shtetit amerikan dhe kosovar në trajtimin e rasteve të dhunës në familje si raste me ndjeshmëri të lartë, e po ashtu sfidat me të cilat atakohen prokurorë që i trajtojnë këto raste. Njëkohësisht u diskutua fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimi ndërinstitucional për trajtimin e viktimave të dhunës në familje, e po ashtu kur të përfshirë janë edhe viktima minorenë.

Të pranishmit rekomanduan të organizohen trajnime profesionale për prokurorë në trajtimin e rasteve të kësaj natyre, me qëllim të përmirësimit të kualitetit në punë, e po ashtu, Kryeprokurori Munishi shprehu gatishmërinë për bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve, pasi trajtimi i rasteve të dhunës në familje mbetet prioritet për Prokurorin e Shtetit dhe për organet e drejtësisë.