Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

NJOFTIM PËR MEDIA

Prishtinë, 14 korrik 2021 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin publik lidhur me rastin i cili është plasuar në media  e që ka të bëjë me një të mitur nga komuna e Lipjanit, i cili fillimisht është raportuar në stacionin policor në Lipjan si person i zhdukur (e mitur), më 16 qershor 2021, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie dhe në bazë të autorizimeve të tij në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është gjetur personi në fjalë.

Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë rast, ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme, për çka jemi në pritje të rezultateve të tyre. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare ka intervistuar të dëmtuarën, gjithashtu janë intervistuar dëshmitarë të tjerë dhe në bazë të dyshimit të bazuar, më 17.06.2021 me aktvendim të njëjtit është ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në gjykatën kompetente, ku me vendim të gjykatës i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe akoma qëndron nën këtë masë.

Në vazhdën e veprimeve të ndërmarra nga ana e prokurorit, në koordinim të plotë me Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, janë ndërmarrë masa të nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën.

Po ashtu, ju njoftojmë se lidhur me këtë rast, më 22 qershor 2021, janë hapur hetime ndaj prindit të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale “Shkelja e detyrimeve familjare”, nga neni 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Meqenëse rasti në fjalë ndodhet në procesin hetimor dhe i takon Procedurës për të Mitur, kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me ligjin.

Në fund, ju njoftojmë se të gjitha procedurat ku janë të përfshirë të miturit janë procedura konfidenciale dhe fshehtësia e informacionit lidhur me fëmijën viktimë apo dëshmitarë mbrohet me ligj, e po ashtu, secili informacion që priret të bëjë identifikimin e fëmijës si dëshmitar apo viktimë, nuk botohet pa lejen e shprehur qartë të gjykatës.