Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Për dhjetë muaj, Prokuroria e Pejës ka parashtruar 107 kërkesa për sekuestrim


Pejë, 23 tetor 2020 - Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se në periudhën kohore janar-tetor të këtij vitit ka bërë gjithsej 107 (njëqind e shtatë) kërkesa për sekuestrimin e mjeteve, të cilat dyshohen të jenë përdorur apo përfituar përmes veprave të ndryshme penale.

Nga muaji janar i këtij vitit gjer në muajin tetor, kjo prokurori ka parashtruar në gjykatat kompetente kërkesa për sekuestrimin e 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) mjeteve të transportit, ndër to: 33 (tridhjetë e tri) vetura të llojeve të ndryshme, 17 (shtatëmbëdhjetë) mjete transporti (kamionë, ekskavatorë, kombi), 15 (pesëmbëdhjetë) traktorë dhe 11 (njëmbëdhjetë) rimorkio të mjeteve të ndryshme të transportit.

Nga Prokuroria Themelore e Pejës janë kërkuar të sekuestrohen 6250 (gjashtë mijë e dyqind e pesëdhjetë) kilogramë miell gruri për dhjetë muajt e këtij viti. Po ashtu, edhe pako me cigare të llojeve të ndryshme në vlerën prej 3223 (tre mijë e dyqind e njëzet e tre) eurosh dhe para të gatshme në vlerën prej 2552 (dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) eurosh.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës janë kërkuar të sekuestrohen 167 m³ (njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) masë drusore në dhjetë (10) raste të kërkesave për sekuestrim gjatë periudhës kohore janar-tetor të vitit 2020.

Vlen të theksohet se shumica e kërkesave të parashtruara për sekuestrim nga Prokuroria Themelore e Pejës janë aprovuar nga gjykatat.