Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit prezanton Raportin për monitorimin e drejtësisë

Prishtinë, 19 tetor 2020 – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) prezantoi Raportin e tij të parë publik të monitorimit sistematik dhe tematik të drejtësisë, i cili mbulon periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit  mars 2020 dhe përfshin gjetjet nga 107 raste dhe 312 seanca të monitoruara, si dhe rekomandimet specifike për autoritetet e Kosovës për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: “Së pari, Misioni gëzon qasje të plotë në sistemet gjyqësore, prokuroriale dhe policore, të dhënë nga autoritetet e Kosovës në qershor 2018, kur EULEX-i ndërpreu funksionet e tij ekzekutive në Gjyqësor, andaj kjo na lejon që ta plotësojmë monitorimin e gjykimeve të kryera së bashku me organizatat e tjera ndërkombëtare dhe organizatat e specializuara të shoqërisë civile me një shqyrtim dhe vlerësim “prapa skenës” të mënyrës se si trajtohen rastet specifike para dhe pas një seance gjyqësore. Së dyti, monitorimi nga ana e Misionit përfshin të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale dhe aspekte të sistemit të drejtësisë civile”.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Selim Selimi, tha: “Rishikimi funksional i sundimit të ligjit dhe procesi i llogaridhënies, duke përfshirë Vetingun, janë tregues se Kosova nga reflektimi, po kalon në etapën e implementimit dhe se nuk do të rrijë duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë. Të dy këto procese janë pjesë e reformës, përmes të cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor dhe prokurorial për ta rikthyer besimin e qytetarëve në drejtësi. Pra, garantimi i pavarësisë dhe fuqizimi i sistemit gjyqësor e prokurorial është lufta jonë që do ta fitojmë̈.”

Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit, ndër të cilat kryesoret janë tendenca e vazhdueshme e më pak seancave joproduktive; disa përparime të bëra në ritmin e gjykimit të rasteve të profilit të lartë dhe një rekomandim për gjykatat për të siguruar që këto gjykime të mos vonohen pa nevojë; shumë gjykime kthehen për rigjykim; rastet e mbështetjes së tepërt në paraburgimin si masë sigurie, shpesh pa arsyetim të mjaftueshëm, si dhe mospërputhjet në zbatimin e parimeve të pyetjeve të tërthorta dhe shpalljen e gjykimeve. Bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë duhet të përmirësohet në rastet kundër korrupsionit dhe dhunës në baza gjinore. Për më tepër, duhet të ketë një strategji afatgjate për t’i zgjidhur rastet e grumbulluara civile të lidhura me privatizimin në Dhomën e Posaçme të Gjykatës së Lartë dhe duhet të ndërmerren hapa për ta adresuar zgjatjen e tepruar të procedurave civile në lidhje me pronën dhe shtyrjet e shumta, nga të cilat po vuajnë këto raste.

Duke u fokusuar në rekomandimet e raportit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha: “Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson punën e bërë në finalizimin e Raportit të monitorimit të sistemit të drejtësisë, rekomandimet e dala do të adresohen, ndërsa për një pjesë të tyre veçse ka progres në realizim.”

Pas prezantimit të raportit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha: “Raporti i EULEX-it për monitorimin e rasteve gjyqësore është cilësuar si raport, i cili kontribuon në zhvillimin dhe avancimin e sistemit gjyqësor si dhe rritjen e efikasitetit të tij.”

Drejtori i Drejtorisë për Hetime të Policisë së Kosovës, Riza Shillova, tha: “Policia e Kosovës e mirëpret jashtëzakonisht shumë këtë raport. Mendojmë se është raport shumë i veçantë pasi që adreson të gjeturat dhe rekomandimet e sistemit të drejtësisë në mënyrë zinxhirore, pra duke filluar nga policia, prokuroria dhe gjyqësori. Në mesin e shumë prioriteteve, trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje do të jetë prioritet për ne.”

Ky takim u mbajt në Selinë e EULEX-it në Prishtinë dhe mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për sundimin e ligjit, mediave dhe organizatave ndërkombëtare aktive në fushën e drejtësisë, të cilët patën mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.