Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë për detyrim në tentativë

Prishtinë, 19 qershor 2020 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër E.H. për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri E.H. nga muaji qershor i vitit 2019 e deri më 10.03.2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka tentuar që ta detyroj të dëmtuarin B.P. që të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke përdorur kanosjen serioze se i njëjti do të gjykohet nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë po qe se nuk ia dorëzon shumën e kërkuar të të hollave, në atë mënyrë që është paraqitur rrejshëm si bashkëpunëtorë dhe person me ndikim te prokurorët e specializuar  të Gjykatës Speciale në Hagë, ashtu që do të prezantoj provat në rastet e imagjinuara ndaj tij dhe fillimisht i kërkon shumën e të hollave prej 850.000.00 euro, pastaj shumën prej 360.000.00 Euro dhe së fundmi 190.000.00 euro.

Po ashtu, i pandehuri E.H.  i ka dërguar edhe vajzës së të dëmtuarit mesazh me përmbajtje “Babai yt është në rrezik dhe ti mundesh me evitua situatën“, krejt këto veprime me qëllim që i dëmtuari të ia dorëzoj shumën  e kërkuar të të hollave për çka i dëmtuari B.P. rastin e lajmëron në polici e që edhe me punë operative të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, DHKR në Prishtinë, më 10.03.2020, i pandehuri E.H arrestohet dhe vepra i mbetet në tentativë.

Me këto veprime i pandehuri E.H. ka kryer veprën penale “Detyrimi në tentativë” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.