Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK-ja ndërmerr hapa në drejtim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Prishtinë, 18 dhjetor 2019 - Në kuadër të shënimit të Javës për të Drejtat e Njeriut, e cila është organizuar nga Fakulteti Juridik i Kolegjit AAB, është mbajtur tryezë diskutimi, me ç’rast, ndër të tjera, është prezantua edhe platforma për të drejtat e njeriut, e financuar nga Qeveria norvegjeze dhe UNDP-ja.

Në këtë tryezë në cilësinë e penalistit ka marrë pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i cili para studentëve të këtij Kolegji, ka thënë se KPK-ja është duke ndërmarrë hapa në drejtim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me qëllim që për qytetarët të sigurojmë hetime në kohë efikase, procedura efikase në ndjekjen e kryerësve të veprave penale dhe t’i nxjerrim para organeve të drejtësisë, ashtu siç e kërkon ligji. “Angazhimi jonë i përditshëm është që të zbatohet drejt legjislacioni dhe në mënyrë të paanshme, kurse qytetarët të respektohen me dinjitet dhe në bazë të parimeve dhe standardeve evropiane”, ka theksuar Hyseni.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, ka thënë se sa i përket trajtimit të veprave penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë periudhës janar - shtator 2019, prokuroritë e Kosovës kanë pranuar 22 raste me 50 persona dhe kanë zgjidhur 17 raste me 31 persona.

Lidhur me zbatimin sa me të mirë të drejtave të njeriut, përfshirë dhe të drejtat e fëmijëve në procedurë penale, Kryesuesi Hyseni ka njoftuar për rregullimin e dhomave për intervistimin për të mitur në prokuroritë themelore, të cilat posedojnë të gjitha kushtet dhe pajisjet e nevojshme sipas standardeve të shteteve më të avancuara.

Në fund të fjalës së tij, Kryesuesi i KPK-së, tha së është hartuar Rregullorja për procedurën e ndërmjetësimit të rasteve dhe Prokurori i Shtetit ka bërë aplikimin e procedurës se ndërmjetësimit, duke ua mundësuar palëve në procedurë zgjidhjen e rasteve penale pa zvarritje dhe pa vonim të drejtësisë, kjo rregullore, e cila po ashtu mundëson zbatimin e parimit të ekonomizimit të procedurës penale.