Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë arrestuar sot tre persona

Prishtinë, 23 gusht 2015 – Pas hetimeve të gjata, të udhëhequra nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë arrestuar tre persona, prej tyre: një prokurore, (V.B.), nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, si dhe dy ndërmjetësues, ndërsa ndërmjetësuesi i tretë gjendet në arrati.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale:

•    “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 428, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; 
•    “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
•    “Ushtrimi i ndikimit”, sipas nenit 431, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E pandehura V.B., është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet.