Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi

Prishtinë, 19 tetor 2015 – Është mbajtur sot ceremonia hapëse e shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në vijim gjeni fjalimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, shkëlqesia Juaj, znj. Atifete Jahjaga, i nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, i nderuari Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi, i nderuari kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, i nderuari drejtor i Policisë së Republikës së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, i nderuari Avokat i Popullit, z. Hilmi Jashari, i nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie, i nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues nga organizatat joqeveritare, mysafirë të çmuar,
 
Më lejoni që në emër të Prokurorit të Shtetit të ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë  ceremoni të shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Fëmijët nuk kanë nevojë ta njohin dhunën”.

Të nderuar të pranishëm,

Me rastin e javës për të drejtat e viktimave të krimit, kam kënaqësinë të ndaj sot me ju, rëndësinë e mesazhit që kjo javë përcjellë dhe në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit të shprehë sërish angazhimin tim të plotë në misionin e vazhdueshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Gjej rastin t’i falënderoj prokurorët, gjyqtarët, mbrojtësit e viktimave dhe punonjësit tjerë që lidhen me drejtësinë për angazhimin e tyre në mbrojtjen e viktimave të krimit dhe t’i inkurajoj të gjithë për një mobilizim të mëtejshëm në punën e tyre fisnike, duke dashur t’i siguroj në mbështetjen time të plotë.

Të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj në Republikën e Kosovës të cilat hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti.

Kushtetuta, ligji dhe institucionet e drejtësisë nuk janë ndërtime informale apo provizore, por janë themel i Kosovës, i një shteti të ri që u përket dhe do tu përkasë fëmijëve tanë.

Ne të gjithë së bashku, duhet të bëjmë përpjekje  për t’i ofruar ndihmë viktimave të krimit, e posaçërisht të jemi më të vëmendshëm kur viktima  janë fëmijët.

Me qëllim që fëmijët - viktima të krimit të gëzojnë të drejtën për trajtim të duhur dhe efikas, sistemi prokurorial ka krijuar Departamente të veçanta për të mitur, me prokurorë të specializuar që trajtojnë vetëm rastet që kanë të bëjnë me të mitur, ndërkaq në kuadër të Zyrës sime kemi edhe njësinë për mbrojtje dhe ndihmën e viktimave. Zyrtarët e kësaj zyre kujdesen për realizimin e të drejtave të viktimave që nga momenti i kryerjes së krimit deri në përfundim të procedurës penale.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kontribuar edhe në hartimin e Ligjit për kompenzimin e viktimave, i cili ka krijuar mundësi që viktimat e krimit të trajtohen në mënyrë të duhur përmes përfaqësimit të tyre në të gjitha fazat e procedurës gjyqësore. 

Të drejtat e viktimave të krimit janë të siguruara edhe me instrumente ndërkombëtare. Duke rikujtuar se në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Kombet e Bashkuara kanë shpallur që mosha e fёmirisё ka të drejtë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë.

Familja, si njësi themelore e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj, veçanërisht të fëmijëve, duhet të ketë mbrojtjen dhe ndihmën e nevojshme që të mund të marrё përsipër plotësisht rolin e saj në bashkësi.

Fëmijët për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit, duhet të rriten në një mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi.

Ne jemi të përkushtuar që përmes mekanizmave  institucional si dhe OJQ-ve që ofrojnë shërbime direkte për viktimat fëmijë dhe të rritur,  t’i trajtojmë si duhet të gjitha rastet e viktimave të krimit e veçanërisht fëmijët, si kategori më e ndejshme e shoqërisë.

Në këtë drejtim Kryeprokurori i Shtetit së bashku me Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe institucionet tjera përgjegjëse, përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë kësaj jave do të sensibilizojë opinionin se ka mekanizma adekuat për trajtimin e këtyre kategorive, si për të ofruar mbështetjen e nevojshme ligjore dhe aspektet tjera të ndihmës deri në rehabilitim të plotë, e cila arrihet me një tretman të dinjitetshëm për viktimat e krimit ku janë përfshirë edhe fëmijët qoftë direkt si viktimë apo në forma tjera të abuzimeve.

Si kryeprokuror i Shtetit konfirmoj dhe  siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës se do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet ashtu siç e meritojnë gjithmonë duke aplikuar standarde të larta me qëllim të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Në fund, por jo për nga rëndësia, mirënjohje edhe një herë të gjithë atyre anëtarëve të grupit punues, përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe Koalicinit për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, për mbështetjen e vazhdueshme në këto 6 vite  në organizmin dhe mbajtjen e javës për të drejtat e viktimave të krimit.


Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!