Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi në konferencënrajonale me temë: “Hetimi dhe ndjekja e trafikimit ndërkufitar të narkotikëve dhe krimit të organizuar”, e cila po mbahet në Prishtinë dhe është organizuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi në konferencënrajonale me temë:

“Hetimi dhe ndjekja e trafikimit ndërkufitar të narkotikëve dhe krimit të organizuar”, e cila po mbahet në Prishtinë dhe është organizuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë


15 shtator 2015, Prishtinë

I nderuari z. Ambasador,

Të nderuar kolegë pjesëmarrës të konferencës,

Mysafirë të nderuar,

Më lejoni që në emër të institucionit që përfaqësoj dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes dhe t’ju  falënderojë për pjesëmarrjen tuaj në konferencën rajonale për hetimin dhe ndjekjen e trafikimit ndërkufitar të narkotikëve dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, është kënaqësi që jemi nikoqirë të kësaj konference rajonale, e cila vërteton faktin se organi i akuzës dhe Shërbimi Policor i Kosovës janë duke u vlerësuar si një partner i besueshëm nga prokuroritë dhe agjencitë policore të rajonit dhe partnerët ndërkombëtar dhe kjo tregon që jemi një  faktor i rëndësishëm në forcimin e sigurisë së rajonit dhe Evropës.

Prania e përfaqësuesve të prokurorive dhe shërbimeve policore të rajonit, si dhe përfaqësuesve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, flet qartë për rëndësinë e konferencës dhe në mënyrë të drejtë tregon nevojën më se të njohur për forcimin e bashkëpunimit dhe për shkëmbimin sa më efikas të informacioneve.

Sot, jemi mbledhur së bashku për të rritur mirëfunksionimin e organeve të ndjekjes, për të treguar se jemi të motivuar për të afirmuar bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht midis vendeve të rajonit, si dhe përmbushjen e standardeve evropiane për të përmirësuar qasjen ndërnacionale edhe të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.

Me qëllim të luftës më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, krimeve të luftës dhe pastrimit të parave, në Kosovë është themeluar edhe Prokuroria Speciale, si prokurori e posaçme në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, e cila ka kompetencë dhe përgjegjësi për t’i zhvilluar hetimet dhe ndërmarrë ndjekjen penale për krimet më të rënda që janë në kompetencë të veçantë dhe plotësuese në gjithë territorin e Kosovës.

Me formimin e kësaj Prokurorie dhe me ndryshimet e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Kosovës janë krijuar parakushtet më cilësore për punë më efikase në ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe në ndjekjen e autorëve të krimit.

Bashkëpunimi i Kosovës me organizatat relevante rajonale dhe organizatat ndërkombëtare si dhe me Prokuroritë dhe Agjensionet Policore të rajonit është e një rëndësie të madhe në luftën kundër të gjitha formave të krimit ndërkombëtar, sidomos kundër atyre të cilët paraqesin  rrezikun më të madh për siguri, liri dhe drejtësi siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar.

Prandaj, mund të konstatohet se bashkëpunimi rajonal, por edhe ndërkombëtar duhet të forcohet, veçanërisht në kryerjen e hetimeve të përbashkëta të këtyre krimeve, të cilat njihen si sfida bashkëkohore të sigurisë dhe paqes.

Kolegë të nderuar,

Në këtë drejtim anëtarësimi i Kosovës si anëtare me të drejta të barabarta në organizatat ndërkombëtare të sigurisë dhe drejtësisë siç është Interpoli dhe Europoli, mbetet akoma një nga sfidat kryesore. Inkuadrimi i Policisë në këta mekanizma do ta bënte më të lehtë punën dhe përpjekjet e saj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative që shtrihen përtej kufijve nacional.

Ne jemi të përkushtuar që në të ardhmen të forcojmë bashkëpunimin me prokuroritë dhe policitë e vendeve të rajonit, si dhe me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë partner seriozë në përpjekjet tona në luftën kundër dukurive kriminale përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, por edhe përmes rrugës joformale.

Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, do të vazhdojë të tregojë vendosmërinë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe kërcënimeve tjera të sigurisë.

Megjithatë, rreziqet bashkëkohore të sigurisë dhe kërcënimet tregojnë qartë se për të arritur rezultate, ne duhet të bëjmë përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, sepse krimi i organizuar me të cilin po ballafaqohemi i tejkalon kufijtë kombëtar duke paraqitur një kërcënim serioz të sigurisë rajonale, evropiane dhe në disa segmente edhe globale.

Të nderuar pjesëmarrës,

Konsideroj se kjo konferencë rajonale, e cila është duke u organizuar dhe mbështetur financiarisht nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-ve, mund të shërbejë si një model i mirëfilltë i mbështetjes konkrete të përpjekjeve tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.

Fakti që sot në këtë konferencë kemi përfaqësuesit e të gjitha vendeve të rajonit, si dhe përfaqësuesit e SHBA-ve, prokurorë dhe hetues policorë, të cilët do të shkëmbejnë përvojat dhe do të diskutojmë metodat e zbatimit të hetimeve, na jep të drejtë, për të besuar se bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të japë rezultate konkrete në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Unë besoj që gjëja më e rëndësishme gjatë aktiviteteve të kësaj konference rajonale është forcimi i komunikimit, i cili duhet të krijoj besim reciprok, vullnet të mirë, respekt për kolegun, duhet të ketë solidaritet dhe duhet t’i shmangemi në mënyrë absolute tentativave për të  qenë të izoluar secili brenda procesit të vet. Kjo është arsyeja që jemi mbledhur të gjithë sot këtu, jemi mbledhur jo vetëm për të shkëmbyer përvojat e ndjekjes dhe hetimit por edhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal i cili është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e rasteve të krimeve transnacionale, që ju siguroj se i kemi të shumta dhe janë të vështira.

Në fund, pjesëmarrësve të kësaj konference ju dëshiroj punë të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm gjatë këtyre ditëve në Kosovë.