Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në ceremoninë e organizuar me rastin e promovimit të Doracakut të Jurisprudencës

16 shtator 2015, Prishtinë

Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi e veçantë të jemi të gjithë së bashku në aktivitete të tilla si ky sot,  ku shënohen suksese dhe promovohen vlera të cilat janë shumë të rëndësishme  për pregaditjen e  komunitetit juridik në Kosovë.

Është një shprehje e vjetër që akoma është aktuale:
“Mënyra më e lehtë për të sqaruar kuptimin e Sundimit të Ligjit është duke e rikujtuar se çka ka ndodhur kur nuk ka pasur Sundim të Ligjit”

Sot, në këtë promovim të Doracakut për provimin e Jurisprudencës  po e hedhim edhe një hap drejt krijimit të mundësisë për përfitimin e njohurive juridike për kuadrat e reja që kanë vullnet për tu përballur  me detyrën e juristit në insitucionet e drejtësisë.

Ky doracak prek në esencë çdo profesionist të sistemit gjyqësor të Kosovës, si gjyqtarin, si prokurorin ashtu edhe avokatin dhe të gjithë ata që merren drejtpërdrejtë dhe tërthorazi me sistemin gjyqësor.

Profesionistëve juridik i duhet një doracak që i pajis me njohuri të përgjithshme dhe specifike për sistemin e drejtësisë në Kosovë, por mbi të gjitha atyre iu duhet një doracak që i ndihmon kuptimin dhe aplikimin e drejtë të normave juridike në situatat e dhëna faktike. Po ashtu e rëndësishme është që profesionistët e drejtësisë të zhvillojnë kulturën dhe etikën në profesionin që e ushtrojnë  duke mos pretenduar të ushtrojnë të gjitha profesionet juridike.

Neve na duhet një ndarje e qartë e kompetencave të institucioneve dhe ushtrimi maksimal i diskrecionit profesional të çdo institucioni.

Nëse ndonjëra nga hallkat e gjyqësorit nuk është në nivel të detyrës rrjedhimisht të gjitha organeve tjera u vështirësohet funksionimi.

Nuk duhet të harrojmë se të gjithë ne i shërbejmë sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe ky sistem me  përpjekjen e të gjithëve  duhet të bëhet më i përkushtuar në zbatimin e drejtë të ligjeve, më profesional, më etik dhe më i përgjegjshëm në përmbushjen e obligimeve të veta. Konsolidimi i sistemit gjyqësor nuk varet vetëm nga korniza ligjore por edhe nga integriteti moral dhe vullneti i mirë për të qenë i drejtë gjatë
zbatimit të dispozitave ligjore.

Dua të shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të potencoj faktin se Prokuroria e Shtetit me të gjitha institucionet vartëse është duke u konsoliduar dhe vazhdimisht është duke punuar në hetimin, ndjekjen dhe luftimin e kriminalitetit, në veçanti atij të organizuar dhe korrupsionit.  Ne jemi duke punuar në hartimin e planeve për një punë sa më të suksesshme të Këshillit dhe të Prokurorisë së Shtetit.

Mbi të gjitha, ne po bëjmë përpjekje për një procedurë sa më efikase penale, duke u kujdesur maksimalisht që të mbrojmë të drejtat themelore të individëve.

Normalisht,  zhvillimi i procedurës penale brenda suazave ligjore mund edhe të shkaktojë pakënaqësi te palët e përfshira, por në jemi të vendosur që të punojmë shumë në profesionalizimin e prokurorëve tanë në mënyrë që të gjitha rastet t’i kryejmë brenda afateve ligjore dhe të kemi sukses në të gjitha ato akte akuzuese që ua dërgojmë Gjykatave.
Poashtu, gjatë punës tonë do të jemi të angazhuar në zbatimin e drejtë dhe të përpikt të ligjit sepse kështu mund të rrisim autoritetin e Prokurorisë së Shtetit, të forcojmë respektin e shoqërisë për këtë organ dhe të ndikojmë pozitivisht në harmoninë e shoqërisë sonë.

Të nderuar pjesëmarrës, në fund dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në hartimin e këtij Doracaku dhe të shprehë mirënjohje  Ministrisë së Drejtësisë dhe UNDP-së  për mbështetjen e vazhdueshme që janë duke i dhënë të gjitha proceseve brenda sistemit gjyqësor dhe prokuroial.

Ju faleminderit!