Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në ceremoninë e Provimit të Jurisprudencës

I nderuar Ministër Kuçi, Kryetar Hasani, Kryesues Peci,

Të nderuar të pranishëm dhe ju që sot po i gëzoheni këtij momenti të çmuar në karrierën tuaj profesionale,

Është kënaqësi e veçantë që në emër të Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, të marr pjesë në këtë ceremoni për të shënuar arritjet tuaja në përfundim të Provimit të Jurisprudencës. Sot është një moment i veçantë jo vetëm për juve si profesionistë por edhe për tërë sistemin tonë të drejtësisë.

Për të arriturat deri këtu ju keni kaluar nëpër sfida të shumta dhe jo të lehta, por shumë shpejtë keni për të vërejtur se investimi që keni bërë për të fituar kualifikimin e juristit me Provim të Jurisprudencës do tu hapë dyer dhe perspektiva të reja në kuadër të sistemit të drejtësisë.

Unë sot kam rastin t’iu inkurajoj në rrugën tuaj që keni zgjedhur, nuk do të ecë pa probleme, sikurse në të gjitha profesionet e tjera. Detyra e juristit me Provim të Jurisprudencës, varësisht nga përkushtimi dhe puna juaja shumë shpejtë mund të shndërrohet në punën e gjyqtarit dhe prokurorit.

Ajo që duhet të jetë në qendër të vëmendjes së aktivitetit tuaj është pikërisht karriera profesionale në funksion të ligjit, sot këtë e perceptojnë pa mëdyshje edhe shoqëria civile, mediat por edhe qytetarët e vendit tonë.

Të gjithë i kanë sytë tek drejtësia, jo pa arsye i kanë sytë tek drejtësia, sepse shpeshherë nuk gjejnë drejtësi. Jemi mësuar të diskutojmë këtë pafundësisht, takohemi me gjyqtarë, diskutojmë për nevojën dhe domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë, takohemi me prokurorë, diskutojmë për këto çështje, futemi në një institucion shëndetësor dhe aty kërkohet drejtësi, shkojmë në arsim qoftë ky i mesëm apo i lartë kërkohet drejtësi, edhe ata që janë të mbyllur brenda mureve të burgut kërkojnë drejtësi duke dërguar letra edhe tek Ministri i Drejtësisë, por edhe në zyrën time.

Prokuroria e Shtetit është duke e forcuar komunikimin me të gjitha ato palë që shkruajnë për sistemin e drejtësisë, për ti vlerësuar shqetësimet e tyre por edhe për të vlerësuar veprimet e bartësve të funksioneve gjyqësore.

Sot, ju jeni me një kualifikim më tepër dhe kjo duhet të ju motivojë që të vazhdoni ngritjen tuaj e të jeni më të përgatitur për të sfiduar vendosjen e drejtësisë kudo që jeni.

Dhënia e provimit të Jurisprudencës tregon për përgatitjen tuaj profesionale e cila është shumë e rëndësishme dhe jep mundësinë për përfshirjen tuaj brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial, vendimmarrja juaj për tu orientuar kah sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të jetë shumë e vlerësuar edhe nga ana jonë.

Gjykatat dhe prokuroritë janë institucionet ku një profesionit i drejtësisë mund të jep kontributin më të madh, sepse brenda këtyre institucioneve ka sfida të përditshme dhe janë arena ku përballen përditë me pretendimet e palëve me procedurë.

Ligjet të cilat ju do ti zbatoni janë forca që e bëjnë njeriun të ngrejë kokën mbi mbijetesën e thjeshtë, të kërkoj e të jetë pronar, të zhvilloj dijen dhe ti gëzohet ekzistencës për të aspiruar më për shumë.

Të nderuar të pranishëm,

Sistemi i drejtësisë e ne veçanti sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës ka  nevojë për kuadro të reja profesionale që do të jenë të guximshëm dhe integritet.

Andaj, ju them se pritjet tona për ju nga tani janë më të mëdha, kam bindjen se jemi duke nxjerrë profesionist ligjor me integritet por që duhet të tregojnë guxim edhe në veprim sepse drejtësia është e vërtetë vetëm kur vepron.

Duke filluar nga aty ku jeni sot të vazhdoni të kryeni shërbime më kualitative profesionale, kurse në të ardhmen ju inkurajoj që të jeni pjesë e konkurrencës për të hyrë në kuadër të sistemit prokurorial si prokuror apo pjesë e stafit prokurorial.

Në fund, pavarësisht cilado qoftë përzgjedhja e jua, dëshiroj që angazhimi i juaj të jetë në funksion të moralit të pastër të profesionalizmit dhe rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Urime dhe suksese në punën tuaj të ardhshme.