Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në dhjetë vjetorin e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit

Prishtinë, 21.10.2019 - Më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në shënimin jubilar të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, javë kjo që këtë vit shënon dhjetë vjetorin e saj me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave’’.

Është dita për t’i falënderuar të gjithë prokurorët, gjyqtarët, mbrojtësit e viktimave, punonjësit e policisë dhe OJQ-të për kontributin e dhënë dhe rezultatet e arritura në 10 vitet e kaluara.

Me rastin e kësaj ngjarje, kam kënaqësinë që të shprehë sërish angazhimin tim në misionin e vazhdueshëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe t’ju inkurajoj të gjithë juve për një mobilizim të mëtejshëm në punën tuaj për të mbrojtur të drejtat e viktimave të krimit.

Fakti që sot kjo konferencë është duke u mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe UN-Women, na jep të drejtën për të besuar se viktimat e krimit kanë partner dhe mbështetës të fuqishëm.

Prandaj më lejoni të falënderoj Ambasadën e SHBA-së, për kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave dhe mbrojtjen e viktimave si dhe në krijimin e programit për kompensim dhe rehabilitimin e tyre, për çka jemi shumë mirënjohës.

Duke iu referuar temës së kësaj dite, e cila meriton më shumë vëmendje nga institucionet vendore, dua të përsëris se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti.

Andaj sot, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të javës për të drejtat e viktimave të krimit, dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, që do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet.

Dua të ju përkujtoj se viktimat e krimit janë një kategori e cila duhet të ketë mbrojtje dhe përkrahje të nevojshme nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila, gjithnjë e më shumë është duke treguar gatishmëri dhe përkushtim të nevojshëm për t’i ndihmuar viktimat dhe përgatitur ato për të bërë një jetë normale në frymën e lirisë, paqes dhe mirëkuptimit.

Nga të gjithë ju prokurorët e shtetit dhe mbrojtësit e viktimave pres që me përkushtim t’i shërbeni viktimave sa herë që ata dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë.

Të drejtat e viktimave të krimit realizohen nëpërmjet të ligjeve të mira, por që suksesi qëndron në vullnetin e plotë për zbatimin e tyre.

Drejtësia kërkon profesionalizëm, por dhënia e saj varet nga integriteti moral i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Gjithashtu duhet të rritni komunikimin me viktimat e krimit, sepse ata mund të bëhen pjesë e rëndësishme e punës tuaj, duke u bërë dëshmitarë të drejtësisë, për të zbuluar dhe ndëshkuar krimin.

Ndër vite kemi vënë prioritet mbrojtjen e viktimave, por edhe ndëshkimin e krimit dhe jemi angazhuar që autorët e krimit të marrin dënimet e merituara në përputhje me ligjin, me çka kemi shprehur gjykimin shoqëror për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje, dhunës seksuale dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Në anën tjetër kemi forcuar moralin dhe detyrimin për respektimin e ligjit duke kërkuar shqiptimin e sanksioneve penale ndaj autorëve të këtyre veprave penale.

Është e vështirë të flitet për drejtësi dhe rehabilitimin e viktimave pa ndëshkimin e krimit. Prandaj, të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në ndëshkimin e keqbërësve si dhe në mbrojtjen e viktimave të krimit.

Këto dy anë kanë të njëjtat vlera, sepse në një shoqëri demokratike interesat e shtetit dhe të viktimave janë të lidhura njëra me tjetrën.

Mos-zbulimi dhe mosndëshkimi i autorëve të krimit sjellë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit, dhe mund të ndodhë që krimi i cili nuk ndëshkohet mund të përsëritet.

Në këtë drejtim prokurorët e shtetit duhet të sigurojnë qytetarët se pikërisht ligji është ajo forca që e bën të mundur lirinë.

Është pikërisht ligji ai që bën njeriun të ngrejë kokën mbi jetesën e thjeshtë, të ketë të drejtë në pronë dhe të investojë pa u trembur nga burokracia dhe korrupsioni, të zhvillojë pronën, biznesin dhe t’i gëzohet ekzistencës duke aspiruar me shumë.

Ju prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave duhet t’i njoftoni viktimat e krimit se ligji ju jep atyre sigurinë që ata nuk mund ta kenë në mënyra tjera dhe se ai i mbron nga krimi dhe i ndihmon në rehabilitimin dhe kompensimin e tyre. Besimi në ligjin dhe drejtësinë duhet të jetë lidhja që mban së bashku institucionet e drejtësisë dhe të dëmtuarit nga krimi.

Të nderuar të pranishëm,

Jemi dëshmitarë se gjatë këtyre 10 viteve është fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, me qëllim që viktimave të krimit tu sigurohet ndihma e nevojshme ligjore dhe procedurale.

Kemi caktuar edhe koordinatorët e dhunës në familje dhe trafikimit me qenie njerëzore në kuadër të secilës prokurori themelore që i trajton këto lëndë me prioritet dhe profesionalizëm për t’i sanuar vuajtjet e viktimave të krimit.

Prokuroria e shtetit ka forcuar kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetore dhe si rezultat kemi arritur për të zvogëluar numrin e lëndëve të grumbulluara ndër vite.

Gjatë viteve kemi përfaqësuar mbi 11 mijë viktima të të gjitha kategorive, kurse në rastet e dhunës në familje kemi ushtruar mbi 4 mijë e 600 urdhra mbrojtës dhe i kemi përfaqësuar në gjykatat kompetente.

Për dallim nga vendet e rajonit, ne kemi krijuar një legjislacion bashkëkohor, për realizimin e të drejtave ligjore, si dhe për kompensimin dhe trajtimin sa më dinjitoz të viktimave të krimit.

Tashmë kemi një numër të konsiderueshëm të viktimave të cilëve u është kompensuar dëmi nga shteti.

Prandaj me plotë të drejtë mund të themi se viktimat e krimit ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre në përputhje me standardet evropiane si dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Sot, prokurorët e shtetit trajtojnë të gjitha llojet e lëndëve, madje edhe ato që ishin në kompetencë ekskluzive të prokurorëve të Eulex-it, siç janë rastet e krimeve të luftës.

Në drejtim të zgjidhjes të këtyre rasteve kemi nxjerrë strategjinë e krimeve të luftës ku është paraparë ndërmarrja e veprimeve të nevojshme të cilat duhet të merren nga institucionet përkatëse për t’i vënë para përgjegjësisë kryerësit e krimeve të luftës dhe për të siguruar drejtësi për viktimat e këtyre krimeve.

Këtë e presin familjarët e tyre por edhe qytetarët, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga kryerja e këtyre krimeve, mirëpo ne patjetër duhet t’i adresojmë këto shqetësime në drejtim të zbardhjes së rasteve të krimeve të luftës.

Pa sqaruar këto raste të së kaluarës, do ta kemi një të tashme të paqëndrueshme dhe do të kemi të pamundur të ndërtojmë një të ardhme të pranuar nga të gjithë.

Kjo është domosdoshmëri dhe detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.

Kosova ka bërë përparimet e duhura për trajtimin e dinjitetshëm të viktimave të krimit, megjithatë duhet bërë edhe më shumë, në mënyrë që këto raste të marrin vëmendjen e duhur nga sistemi i drejtësisë.

Duhet të rritet efikasiteti në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës, të dhunës seksuale, të dhunës në familje dhe trafikimit me qenie njerëzore

Mos të na ndodhë që t’i kapim çështjet “post mortem” këtë e them duke iu referuar një rasti me pasoja tragjike që ka ndodhur para disa muajve në Fushë Kosovë.

Duke e parë se jemi përballur me rritjen e numrit të rasteve me fatalitet të dhunës në familje është e nevojshme të përmirësohet bashkërendimi i veprimeve të prokurorisë dhe policisë hetuese që trajtojnë këto raste.

Është e nevojshme të vazhdohet me profilizimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve për trajtimin e rasteve më të ndjeshme si dhe të punohet në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Gjithashtu duhet më shumë angazhim për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të rintegrimit afatgjatë të viktimave të krimit.

Nga prokurorët e shtetit, mbrojtësit e viktimave, policët hetues, organi i kujdestarisë dhe punonjësit tjerë që i shërbejnë drejtësisë, pres që me profesionalizëm dhe përkushtim t’i shërbejnë viktimave të krimit dhe t’i mbrojnë nga çdo lloj dhune dhe kërcënimi serioz.

Dua t’ju siguroj se të gjithë prokurorët e shtetit do ta ushtrojnë autoritetin e tyre për t’i mbrojtur të drejtat e viktimave dhe për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe kujdes, si dhe për rehabilititmin e tyre me qëllim të rindërtimit të jetës së tyre dhe mënjanimit të pasojave të krimit.

Të nderuar të pranishëm,

Institucioni i Prokurorit të Shtetit është duke treguar efikasitet të mirë, qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional, prandaj ngadalë është duke e kthyer besimin e qytetarëve, dhe ju duhet ta vlerësoni këtë situatë duke kontribuar më shumë në rritjen e kredibilitetit dhe autoritetit të institucionit që përfaqësoni.

Unë besoj se me përpjekjen e të gjithëve, drejtësia do të bëhet reflektim i përkushtimit, profesionalizmit, etikës dhe përgjegjësisë në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

Sistemi prokurorial do të luaj rolin e vet aktiv në drejtim të rritjes së transparencës, llogaridhënës, pavarësisë dhe luftës kundër fenomeneve korruptive, konfliktit të interesit dhe nepotizmit në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve tek shteti i së drejtës.

Si Kryeprokuror i Shtetit i siguroj të gjithë qytetarët se jam në mbështetje të kësaj rruge të përbashkët për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e viktimave të krimit.

Ju faleminderit për vëmendjen!