Aktivitetet Prokurorit Single - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit

Prishtinë, 17 janar 2020 – Është kënaqësi t’ju përshëndes dhe t’ju dëshiroj mirëseardhje në Konferencën Vjetore të Prokurorisë së Shtetit, e cila si në katër vitet e kaluara, ashtu edhe në periudhën e fundit dymbëdhjetë mujore, ishte përplot sfida dhe mund të them më intensive se kurrë.

Megjithatë nga numri i madh i sfidave më i rëndësishëm është fakti se kemi treguar që jemi të gatshëm dhe të aftë që në të gjitha këto sfida të reagojmë në mënyrë adekuate.

Sot, dua të theksoj se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe ne ditët e para të këtij viti ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.

Ne kemi treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Prandaj, duhet të jemi unik për të treguar forcën që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit.

Shpresoj që forca e këtij mesazhi do të kuptohet drejtë edhe nga kolegët e rinj në duart e të cilëve do të jetë e ardhmja e sistemit prokurorial.

Gjatë vitit të kaluar kemi zgjedhur kryeprokurorët e dy prokurorive më të rëndësishme në Republikën e Kosovës, atë të Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilët duhet të kenë një rol më të madh në drejtimin e këtyre prokurorive, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për punën e tyre ndaj Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Të gjithë duhet të jeni të vetëdijshëm se besimi, sinqeriteti dhe komunikimi në mes të prokurorëve, kryeprokurorëve dhe Kryeprokurorit të Shtetit duhet të forcohet.

Kjo është gjëja më e rëndësishme në organet që veprojnë në mënyrë vertikale, ashtu siç është i përkufizuar me ligj edhe institucioni i Prokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorëve të rinj, dua t’ju them se; që nga marrja e këtyre detyrave do të ju presin ditë të vështira. Koha nëpër të cilën po kalojmë e vërteton këtë.

Përgjegjësia juaj është të tregoni se jeni të gatshëm t’i drejtoni këto prokurori dhe se vendimet që do t’i merrni do të jenë të drejta, profesionale dhe ekskluzivisht në përputhje me normat kushtetuese dhe dispozitat ligjore.

Në punën dhe udhëheqjen tuaj të mëtutjeshme do ta keni përkrahjen time dhe të sistemit prokurorial në organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të këtyre prokurorive.



Të nderuar të pranishëm,

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është element shumë i rëndësishëm drejtë rrugës së integrimit të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane.

Publiku është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridiko-shoqërore.

Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së përfituar nga vepra penale, si dhe marrja e fuqisë ekonomike grupeve kriminale, nëpërmjet ngrirjes e më pastaj edhe konfiskimit të pasurisë.

Të gjitha analizat serioze tregojnë se vetëm dënimi me burg i kryesve të veprave penale nuk lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit, por krahas dënimeve me burg duhet të nxirren edhe dënimet plotësuese për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare, por edhe vendimet për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me vepër penale.

Gjithashtu është me rëndësi që prokurorët e shtetit të sigurojnë mbrojtjen e duhur për informatorët si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, pasi që ata luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e veprave korruptive.

Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka treguar përkushtim në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke zgjidhur 400 dosje penale me 771 persona.

Gjithashtu kemi zgjidhur 532 kallëzime penale me 712 persona që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare.

Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë kemi nevojë për njerëz profesionist, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial.

Prandaj, të gjithë ata prokurorë të rinj që i kanë këto atribute pres që të avancohen në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Jam i bindur se ndërthurja e energjisë së prokurorëve të rinj dhe përvoja e prokurorëve më të vjetër mund të sjellë rezultate të mira brenda sistemit tonë.

Tashmë edhe Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë aktgjykimet e para për lëndët e korrupsionit, duke aprovuar kështu kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga prokurorët, në rastet kur të akuzuarit janë liruar nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës e dytë, duke konstatuar se gjykatat e shkallës së parë e kanë shkelur ligjin duke e interpretuar atë në favor të të pandehurve.

Me këto vendime është konfirmuar angazhimi i prokurorëve në luftën kundër korrupsionit duke ngritur aktakuza të bazuara në prova dhe ligj.

Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar edhe në vitin e kaluar kanë treguar se janë të vendosur të kontribuojnë në luftën kundër terrorizmit, i cili është duke rrezikuar sigurinë, paqen dhe drejtësinë në botë, por nuk e ka lënë anash as vendin tonë.

Ne kemi qenë të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, me ç ‘rast kemi arritur në mënyrë të suksesshme të kthejmë në Kosovë 110 kosovarë të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, dhe për një numër të tyre kanë filluar edhe procedurat penale.

Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj SHBA-të, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sa i përket krimeve të luftës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Përveç që jemi duke bërë identifikimin e ngjarjeve të cilat po trajtohen me prioritet, jemi duke bërë përpjekje që të mbledhim dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale.

Gjatë vitit që lamë pas, rëndësi i kemi kushtuar edhe mbrojtjes së viktimave të krimit që kanë pësuar nga aktet e ndryshme kriminale.

Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, ku gjatë vitit 2019 ka zgjidhur gjithsej 1567 raste të dhunës në familje, ngacmimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mundësimit të prostitucionit. Kjo zyrë në disa raste ka paraqitur edhe kërkesat në Ministrinë e Drejtësisë për kompensimin e viktimave të krimit.



Të nderuar të pranishëm,

Prokuroria vazhdimisht është përpjekur të jetë e pavarur në punën e saj, megjithatë në vitin që lamë pas ka pasur përpjekje të ndryshme grupore, sociale e në disa raste edhe politike për të bërë presion në institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Për fat të keq, ne kemi edhe dukurinë ku struktura të caktuara me nisma të ndryshme po nxisin urrejtje ndaj Prokurorisë, duke i mohuar rezultatet e punës në të gjitha fushat, me qëllim që ta paraqesin Prokurorinë si të dështuar.

Mirëpo, me bindje të plotë ju them se sot sistemi prokurorial është shumë hapa përpara asaj që ka qenë në të kaluarën.

Për ta vërtetuar këtë, theksoj faktin se vetëm gjatë vitit 2019 kemi zgjidhur gjithsej 79.803 dosje penale të natyrave të ndryshme.

Përveç rëndësisë së zvogëlimit të lëndëve, po aq e rëndësishme për ne është edhe mënyra se si zgjidhen ato.

Prandaj, progres është bërë edhe në ngritjen e cilësisë së akteve akuzuese, ku gjatë vitit 2019, 93.57% e aktakuzave të ngritura nga prokurorët e shtetit kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese. Kjo më së miri tregon punën profesionale të prokurorëve të shtetit.

Sipas urdhrave të Prokurorisë edhe gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë masa dhe veprime të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtar të grupeve të ndryshme kriminale.

Në këtë mënyrë kemi dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale se nuk mund të vihen mbi institucionet e shtetit.

Këto rezultate dhe të arritura të Prokurorisë së Shtetit janë të dukshme dhe do të jenë në dispozicion të publikut, jo vetëm për t’i paraqitur rezultatet e punës por edhe për të ju shpjeguar qytetarëve të Kosovës se çfarë pune bëjnë prokurorët e shtetit.

Kemi vendosur t’i hapim dyert edhe më shumë për qytetarët, me ç ‘rast do të ju mundësojmë nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të na pyesin çdo gjë që ju intereson për punën, funksionin, sfidat dhe të arriturat e Prokurorit të Shtetit.

Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që t’i informojmë më mirë qytetarët për veprimtarinë tonë, se ne jemi këtu pikërisht për hir të tyre dhe për t’i mbrojtur interesat e tyre.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit do të jetë i hapur për të komunikuar dhe bashkëpunuar me të gjitha mediat dhe shoqërinë civile, me porosi të qartë se i konsiderojmë partner në luftën kundër të gjitha fenomeneve kriminale.

Mirëpo, këtë komunikimin dhe bashkëpunim do ta mbështesim brenda parimeve profesionale dhe standardeve ligjore, bazuar në qasje objektive dhe të paanshme.

Një hap i rëndësishëm në funksion të llogaridhënies, profesionalizmit dhe disiplinimit brenda sistemit prokurorial ishte edhe hyrja në fuqi e ligjit për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe miratimi i Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për prokurorë, i cili ka filluar të zbatohet vitin e kaluar.

Për këtë falënderoj Ambasadën e Holandës dhe ekspertët holandez për kontributin e dhënë në hartimin e Kodit të Etikës.

Bazuar në këto akte janë zhvilluar 18 procedura disiplinore ndaj prokurorëve dhe janë shqiptuar 10 masa disiplinore.

Në anën tjetër, me qëllim të rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit si dhe evitimin e mungesës së prokurorëve në seanca gjyqësore është nxjerrë një udhëzim i obligueshëm për prokurorët, i cili rregullon çështjen e pjesëmarrjes së prokurorëve në trajnime duke mos cenuar kështu mbarëvajtjen e seancave gjyqësore e që është vlerësuar edhe nga Ambasada e SHBA-ve.

Po ashtu, gjatë vitit 2019 rëndësi të posaçme i kemi kushtuar edhe digjitalizimit dhe modernizimit të punës së Prokurorit të Shtetit.

Me këtë rast kemi bërë përparim të theksuar në avancimin e sistemit elektronik të menaxhimit të lëndëve, ku pothuajse të gjitha lëndët e vjetra janë regjistruar në këtë sistem, ndërsa të gjitha lëndët e reja do të procedohen përmes këtij sistemi, projekt ky që është mbështetur dhe bashkë financuar nga Qeveria Norvegjeze.

Të nderuar të pranishëm,

Vitet e fundit është folur shumë për reformat në drejtësi, vullneti ynë në këtë drejtim është i qartë se ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm, ku në mënyrë të qartë do të demonstrojmë vendosmërinë që kemi për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë.

Gjithsesi, cilat do qofshin motivet që shtyjnë një shtet të marrë iniciativa për reforma në drejtësi, udhëheqës dhe rregullator i këtyre reformave duhet të jenë vetë njerëzit e sistemit të drejtësisë, të cilët do të kontribuojnë në forcimin e rolit të komisionit për rekrutimin dhe avancimin e prokurorëve, komisionit për vlerësimin e performancës dhe atij disiplinor.

Është fakt i njohur se besimi i qytetarëve ne sistemin e drejtësisë është i ultë, ndër shumë faktorë, një lidhet me kulturën e pandëshkushmërinë dhe distancimin e njerëzve prej drejtësisë.

Statistikat tashmë të raportuara mbi perceptimin e publikut ndaj prokurorisë dhe gjykatave nuk janë për tu lavdëruar. Skepticizmi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë kërkon të pranojmë se sot puna jonë ende nuk konsiderohet e suksesshme.

Megjithatë, përpjekjet e prokurorëve për ngritjen e standardeve në hetimin, ngritjen dhe përfaqësimin e akuzave para gjykatave janë për t’u përshëndetur.

Brenda sistemit të drejtësisë ende ekzistojnë probleme, vështirësi dhe sfida të cilat nuk duhet t’i shohim si një pengesë për të ardhmen. Përkundrazi, zgjidhjen e tyre jemi duke e parë si një objektiv që duhet realizuar sa më shpejtë.

Me Ambasadën e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Zyrën e BE-së jemi duke punuar që të forcojmë sistemin e drejtësisë në Kosovë përmes rritjes së llogaridhënies, transparencës, përmirësimit të performancës, profesionalizmit dhe profilizimit të prokurorëve. Kjo do të na ndihmojë që t’i kryejmë detyrat tona në mënyrë më efikase dhe efektive.

Fuqishëm besoj se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar do ta forcojmë sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura të drejtësisë që promovojnë paanshmërinë dhe transparencën, të cilat janë thelbësore për përparimin e shtetit tonë.

Më lartë kam konstatuar se gjatë vitit që lamë pas Prokuroria e Shtetit ka bërë mjaft, kjo megjithatë s’do të thotë se është bërë mjaftueshëm.

Unë besoj se në këtë vit, ju kolegë të nderuar, do të tregoni përkushtim më të madh, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të luani një rol më aktiv në drejtim të forcimit të pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies, në mënyrë që ta forcojmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Punë të mbarë dhe suksese në vitin që sapo kemi filluar!



Aleksandër Lumezi,

Kryeprokuror i Shtetit

Prishtinë, 17.01.2020

slider-img