Prishtinë, 3 dhjetor 2024 – Kryetari i Komisionit për Administrimin e Prokurorive, z.Jetish Maloku, ka pritur sot në takim ekspertin ndërkombëtar, z. Benjamin M. Allen, i cili ka përvojë të gjerë në projekte për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ndërkombëtar, si pjesë e projektit të USAID-it.
Gjatë këtij takimi, z. Maloku e ka njoftuar z. Allen me prioritetet dhe sfidat që po përballen sistemi prokurorial, si dhe, të arriturat që janë bërë për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë gjatë viteve të fundit. Ai theksoi përpjekjet e vazhdueshme të KPK-së për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe forcimin e sistemit prokurorial.
Në këtë takim, palët diskutuan mënyrat e mundshme të bashkëpunimit mes sistemit prokurorial dhe projektit të USAID-it, duke shqyrtuar mundësitë për ofrimin e mbështetjes për zgjidhjen e nevojave që paraqiten nga sistemi, me qëllim përmirësimin e reformave në sektorin e drejtësisë. Ky bashkëpunim pritet të luajë një rol të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të prokurorive dhe për avancimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.
Ky takim është një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe përpjekjeve të përbashkëta për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend.