Share on

Facebook

Prokurorja Laura Pula, paneliste në Konferencën “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”

Prishtinë, 26 nëntor 2024 – Në kuadër të shënimit të fushatës globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula, ishte pjesë e panelit të konferencës “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, në të cilën është diskutuar për dhunën gjinore dhe dhunën në familje.

Në adresimin e prokurores Pula para të pranishmeve, e cila njëherësh është edhe Koordinatore Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ajo nënvizoi rolin e madh të Prokurorit të Shtetit në trajtimin e dhunës së raportuar, duke siguruar hetimin dhe ndjekjen penale me prioritet tek rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. “Këshilli Prokurorial iu ka dhënë prioritet këtyre rasteve qysh nga viti 2018 kur ka caktuar prokurorë të specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, të cilët merren veç me rastet e dhunës në familje”, tha znj. Pula.

Me këtë rast, znj. Pula vuri theksin e saj në analizimin e trajtimit të rasteve të dhunës me baza gjinore, duke thënë se nëse analizojmë rastet e vrasjeve në familje, atëherë shpeshherë gjejmë faktorin e recidivizdimit dhe vrasja e gruas ose femicidi ndodh si akt i fundit i dhunës që përjeton një grua pas një dhune sistematike të ushtruar ndaj saj dhe do të duhet avokim dhe pjesëmarrje aktive e gjithë shoqërisë për të krijuar zgjidhje afatgjata dhe për të luftuar këto vepra.