Prishtinë, 26 janar 2025 – Prokurori i Shtetit, njofton opinionin publik se pas një pune të pandërprerë hetimore është ngritur aktakuzë për rastin e njohur për publikun si “Albkings”. Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve F.P., E.N. dhe E.S. Kundër të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje” nga neni 277/H, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së, “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së dhe “Shtrëngimi” nga neni 192, paragrafi 1 i KPRK-së.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve.