Prishtinë, 22 shkurt 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës organizoi Turneun Memorial të Futbollit kushtuar prokurorit të ndjerë, Enver Krasniqi, në të cilin morën pjesë Kryesuesi Hajdaraj, Kryeprokurori Isufaj, kryeprokurorë dhe prokurorë të prokurorive themelore, si dhe stafi administrativ i sistemit prokurorial.
Gjithashtu ia vlen të theksohet se në këtë turne morën pjesë 10 ekipe me gjithsej 90 lojtarë pjesëmarrës nga KPK-ja, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale, prokuroritë themelore dhe Policia e Kosovës, e cila zhvilloi një ndeshje revyale në shenjë nderimi për prokurorin Enver Krasniqi.
Më këtë rast, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka theksuar se qëllimi i mbajtjes së këtij turneu sportiv është përkujtimi i një prokurori special të dalluar, i cili gjatë karrierës së tij profesionale ka dhënë kontribut të çmuar, duke lënë gjurmë të pashlyera në sistemin e drejtësisë. “Prokurori Enver Krasniqi ishte adhurues i madh i sportit dhe ishte një njeri me integritet, që donte familjen dhe shoqërinë, andaj më e pakta që mund të bëjmë është ta përkujtojmë me një aktivitet sportiv”, ka thënë z. Isufaj me këtë rast.
Në shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj punës së prokurorit Krasniqi, i cili ka ndërruar jetë para katër vjetëve, familjes Krasniqi iu ndanë një mirënjohje dhe kupa ceremoniale e turneut, kurse ekipit fitues nga Prokuroria Themelore e Prishtinës iu ndanë medaljet dhe kupa e turneut, si dhe ekipit që zuri vendin e dytë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit iu ndanë medaljet.
Kjo ngjarje sportive e sistemit prokurorial do të vazhdojë të mbahet edhe viteve të ardhshme dhe do të jetë tradicionale.