Prishtinë, 10 janar 2024 – Në kuadër të aktiviteteve informuese dhe njohëse për rolin dhe misionin e sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (SKPK), z, Sami Istrefi, mbajti një ligjëratë të hapur para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Juridik
të Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren, i shoqëruar nga anëtari i KPK-së, Prof.Ass. Dardan Vuniqi, ku i pritën në takim Prodekani i Fakultetit Juridik, Prof. asoc. dr. Halim Bajraktari, Shefi për Mësim i Programit Master, Prof. asoc.dr. Enver Buçaj dhe Shefi për Mësim i Programit Bachelor, Ass. Milot Krasniqi.
Qëllimi i ligjëratës së sotme ishte informimi i studentëve për rolin, organizimin dhe funksionimin e administratës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, me ç’rast Drejtori Istrefi nënvizoi rëndësinë e administratës në mbështetjen e punës së Këshillit Prokurorial dhe prokurorive të vendit tonë.
Ndër të tjera, z. Istrefi, foli para të pranishmëve për organizimin strukturor të administratës dhe ndarjen e detyrave, rëndësinë e koordinimit efikas, mbështetjen e ofruar për proceset vendimmarrëse dhe garantimin e funksionimit të përditshëm të sistemit, duke informuar studentët për mundësinë e angazhimit të tyre profesional në Këshillin Prokurorial dhe në institucionet e Prokurorit të Shtetit, përmes pjesëmarrjes së tyre në punët praktike.
Ligjërata e z. Sami Istrefi ishte interaktive dhe studentët e Fakultetit Juridik shprehën interesim të madh gjatë ligjërimit të tij, duke parashtruar pyetje të ndryshme për diskutim dhe parashihet që edhe ligjërata të tjera të mbahen përgjatë këtij viti.