Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Përfaqësuesit e sistemit prokurorial, pjesëmarrës në konferencën rajonale për ndjekjen dhe gjykimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor

Budvë, 27 shtator 2024 – Në kuadër të shkëmbimit të përvojave të sistemeve rajonale të drejtësisë, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe  Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, po marrin pjesë në Konferencën rajonale “Efektshmëria e gjyqësorit në gjykimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”. Për të ndarë përvojat e tyre, kjo konferencë, që mbahet në Budvë të Mal të Zi, nën organizimin e OSBE-së, përveç përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë nga Kosova, ka bërë së bashku edhe përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bashkimi Evropian.

Qëllimi i organizmit të kësaj konference, si pjesë e projektit rajonal të OSBE-së për monitorimin e proceseve gjyqësore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, është diskutimi për çështjet e përbashkëta të ndjekjes dhe gjykimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Më këtë rast, kreu i KPK-së, Hajdaraj, ka mirëpritur organizimin e këtij evenimenti rajonal, duke theksuar se gjithnjë janë të nevojshme diskutimet që ndërlidhen me promovimin e transparencës dhe llogaridhënies publike, si dhe ndikimin e faktorëve të ndryshëm në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nga rajoni, gjatë diskutimeve nëpër sesione të ndryshme, nënvizuan se synim i gjithanshëm i tyre  është mbështetja e administrimit efektiv të drejtësisë në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke rritur njohuritë e bazuara në prova dhe të kuptuarit e përgjigjeve gjyqësore në këto raste.

Gjatë sesioneve të sotme të kësaj konference do të prezantohet raporti i OSBE-së me gjetjet nga monitorimi trevjeçar i sistemeve gjyqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor.