Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Mbahet takimi i parë i Grupit punues për hartimin e draftit të Rregullores për Krijimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit

Prishtinë, 12 shtator 2024 – Grupi punues për hartimin e draftit të Rregullores për Krijimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit, i kryesuar nga Zëvendëskryeprokurori në Prokurorinë Speciale, Valdet Gashi, mbajti takimin e parë të tij, pjesë të të cilit janë përveç përfaqësuesve të sistemit prokurorial edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare, Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, të Zyrës së BE-së dhe EULEX-it.

Me këtë rast, kryesuesi i këtij grupi punues, Valdet Gashi, duke falënderuar të pranishmit, theksoi se qëllimi i takimit të sotëm është diskutimi fillestar për hartimin e draftit të Rregullores për Krijimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit, ekipe këto, që parashihet të veprojnë në kuadër të fushëveprimit të kompetencës së Prokurorisë Speciale, siç përcaktohet me ligj.

Më tej u zhvilluan diskutime me theks të veçantë në trajtimin e bazës së standardeve dhe praktikave ndërkombëtare, në mënyrë që të krijohet ekipi i përbashkët hetimor ndërinstitucional, i cili ka për detyrë të arrijë objektivat e përbashkëta hetimore, si dhe ngritjen e bashkëpunimit të shumanshëm të PSRK-së, agjencive të tjera të zbatimit të ligjit dhe institucioneve publike, të cilat janë të obliguara të bashkëpunojnë me PSRK-në për hetimin e veprave të ndryshme penale në kompetencë të kësaj prokurorie.