Prishtinë, 11 dhjetor 2024 – Rritja e efikasitetit dhe efektivitetit, ruajtja e pavarësisë, paanshmërisë, kompetencës dhe funksionimit të sistemit prokurorial ishin në fokus të punëtorisë dyditore, të organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, përkatësisht nga Grupi Punues për hartimin e Planit strategjik të sistemit prokurorial 2025-2027, që udhëhiqet nga Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Më këtë rast, gjatë zhvillimit të sesionit të parë të punëtorisë, ka prezantuar ekspertja nga SHBA-ja, znj. Tennille Nance, për rrugën drejt hartimit të Planit strategjik,.
Në vijim të kësaj punëtorie, znj. Grantolli, tha se ky plan strategjik ka për qëllim orientimin e qartë dhe mbikëqyrjen sistematike të zbatimit të tij, me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies së sistemit prokurorial.
Gjatë fjalës së tij, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, nënvizoi rëndësinë e përcaktimit të objektivave që kanë të bëjnë me rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e menaxhimit të rasteve.
Pjesëmarrësit e punëtorisë në sesionet e ditës së dytë diskutuan për identifikimin, definimin e objektivave, duke dhënë sugjerime, rekomandime dhe propozimet në shërbim të hartimit sa më adekuat të kësaj strategjie.
Të pranishëm në këtë punëtori, krahas anëtarëve të grupit punues, ishin edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Zyra e Bashkimit Evropian dhe OSBE-ja.