Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Mbahet punëtori për finalizimin e draftit të Rregullores për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive

Prishtinë, 28 gusht 2024 – Komisioni për Çështje Normative, i kryesuar nga Armend Zenelaj, së bashku me Kryesuesin, Zëvendëskryesuesen, anëtarë të Këshillit Prokurorial, U.D. Kryeprokurorin e Shtetit, kryeprokurorë të prokurorive, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorë të prokurorive të vendit, Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së dhe përfaqësuesen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, janë duke mbajtur një punëtori dyditore në Tiranë.

Qëllimi i kësaj punëtorie është finalizimi i draftit të Rregullores për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve dhe Udhëheqësve të Departamenteve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Që në fillim, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, potencuan rëndësinë e madhe të kësaj rregulloreje, drafti i së cilës është hartuar në përputhje me standardet e larta ligjore.

Gjithashtu, edhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj punëtorie, nënvizuan gjatë diskutimeve të tyre se, ky akti normativ do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe integritetit të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve të departamenteve të prokurorive të vendit, duke e bërë atë më të besueshëm dhe të kuptueshëm për të gjitha palët e përfshira.

Drafti i kësaj rregulloreje është publikuar për dëgjim publik në faqen zyrtare të sistemit prokurorial dhe pas finalizimit të tij në këtë punëtori do të procedohet për miratim në njërin në takimet e radhës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.