Prishtinë, 10 mars 2025 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, ka pritur sot në një takim shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, znj. Anu Melkko.
Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Hajdaraj ka ndarë me znj. Melkko prioritetet dhe sfidat që po përballet sistemi prokurorial, si dhe ka theksuar arritjet që janë bërë për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë gjatë viteve të fundit. Ai ka vënë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe forcimin e sistemit prokurorial.
Në anën tjetër, znj. Melkko ka njoftuar Kryesuesin Hajdaraj se është miratuar një projekt i EULEX-it për fuqizimin e bashkëpunimit në zinxhirin e drejtësisë. Ky projekt fokusohet në rritjen e përdorimit të dënimeve alternative dhe masave të diversitetit, si dhe në përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për rehabilitimin dhe ri-integrimin e kryesve të veprave penale. Projekti pritet të implementohet deri në qershor të vitit 2025.
Kryesuesi Hajdaraj ka theksuar gatishmërinë e Këshillit Prokurorial për të bashkëpunuar ngushtë në realizimin e këtij projekti, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe avancimit të sistemit të drejtësisë.