Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Prishtinë, 1 tetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, priti në një takim njohës shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Fillimisht, z. Hajdaraj i uroi suksese z. Orav me rastin e marrjes së detyrës së re, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për institucionet e Bashkimit Evropian që mbështesin në vazhdimësi realizimin e misionit, objektivave dhe synimeve të sistemit prokurorial.

Ndër të tjera, gjatë këtij takimi, Kryesuesi Hajdaraj e njoftoi shefin e Zyrës së BE-së, z. Orav, edhe për proceset aktuale dhe për sfidat në rrugën përpara që ndërlidhen me çështjet e sundimit të ligjit dhe që janë në funksion të fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në sistemin prokurorial.

Nga ana tjetër, Ambasadori Orav, tha se prioritet i institucioneve të BE-së do të mbetet përkrahja e vazhdueshme për avancimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe mbështetja e një sistemi prokurorial të pavarur.

Përfundimisht, bashkëbiseduesit Hajdaraj-Orav, shprehën në takimin e sotëm përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të mëtejshëm të agjendës së përbashkët evropiane.