Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj mban konferencën e fundvitit për media

Prishtinë, 30 dhjetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, ka mbajtur konferencën e fundvitit për media, me ç’rast prezantoi të arriturat dhe sfidat e veprimtarisë njëvjeçare.

Hajdaraj, duke falënderuar përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin korrekt dhe të sinqertë përgjatë vitit 2024, theksoi se KPK-ja ka zhvilluar veprimtarinë e saj në disa drejtime, përfshirë hartimin e akteve nënligjore dhe nxjerrjen e 244 vendimeve, të cilat kanë shërbyer për realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial.

Më këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj, tha se KPK-ja realizoi me sukses edhe procesin e zgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorisë se Apelit dhe prokurorive themelore të vendit, duke bërë emërimin e pesë kryeprokurorëve të prokurorive, si dhe rekrutimin e 24 prokurorëve të shtetit, të cilit u dekretuan nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, z. Ardian Hajdaraj, potencoi se avancimi dhe transferimi i prokurorëve, disiplinimi dhe vlerësimi i performancës së tyre, ishin në mesin e objektivave kryesore që janë zbatuar gjatë këtij viti, si dhe nënvizoi modernizimin dhe përmirësimin e procesit të punës me anë të zhvillimit dhe avancimit të teknologjisë informative, kurse buxheti, tha se është realizuar 96.2%, për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore, porse nuk është aprovuar shtimi i numrit të prokurorëve dhe i pozitave për stafin administrativ.

Gjatë kësaj konference, z. Hajdaraj ka trajtuar edhe fuqizimin e transparencës publike, komunikimit proaktiv dhe avancimit të bashkëpunimit me media dhe shoqërinë civile, si dhe ka falënderuar institucionet ndërkombëtare, donatorët dhe partnerët për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë avancimit të sistemit prokurorial.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, në përfundim të kësaj konference, prezantoi një mori sfidash kryesore me të cilat është ballafaquar sistemi prokurorial gjatë vitit 2024.