Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, ka pritur në takim drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë, Altin Dumani, së bashku me bashkëpunëtorë.
Z. Hajdaraj falënderoi z. Dumani për vizitën e tij dhe njëkohësisht e informoi për proceset aktuale të punës dhe sfidat që po e përcjellin Këshillin Prokurorial. “Shpreh gatishmërinë time të lartë dhe të institucionit që përfaqësoj për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në fushat përkatëse për sundimin dhe zbatimin e ligjit në të dyja vendet tona”, theksoi me këtë rast z. Hajdaraj.
Nga ana tjetër, Drejtuesi i SPAK-ut, z. Altin Dumani, falënderoi Kryesuesin e KPK-së, z. Ardian Hajdaraj, për pritjen, duke nënvizuar rolin jetik të bashkëpunimit të institucioneve për hetimin dhe ndjekjen e rrjeteve të krimit kombëtar, rajonal dhe më gjerë.
Në përmbyllje të takimit, z. Hajdaraj dhe z. Dumani u pajtuan për të vazhduar intensifikimin e kontakteve dhe vizitave, siç ishte kjo e sotmja e kreut të SPAK-ut, të cilat do të shërbejnë më tej për krijimin e mekanizmave të nevojshëm të partneritetit për luftimin e krimit në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë.