Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i radhës i Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike

Prishtinë, 15 mars 2023 –  Në kuadër të takimeve të rregullta të Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin  e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, i udhëhequr nga Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, sot është mbajtur takimi i radhës sipas agjendës së paraparë.

 Me këtë rast, fillimisht, anëtarët e këtij Komisioni janë njoftuar lidhur me takimin e mbajtur nga Kryesuesi i KPK-së dhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe prokurorët e Njësitit për Korrupsion dhe Krime Ekonomike në kuadër të kësaj prokurorial lidhur me analizimin e aktiviteteve dhe të sfidave në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike përgjatë vitit 2022 dhe fillimit të vitit 2023, si dhe diskutimin e zhvilluar për zbatimin e Planit të Veprimit në Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për vitin 2022-2024.

Gjithashtu në vijim është shqyrtuar kërkesa për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Caktimin e Normës Orientuese për Prokurorët e Shtetit, e cila do t’i dërgohet për shqyrtim Komisionit për Çështje Normative.

Anëtarët e Komisioni diskutuan edhe për evitimin e mospërputhmërisë së të dhënave statistikore, të raportuara nga prokuroritë dhe Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, si dhe shqyrtuan kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e një vendimit të KPK-së, e cila do të dërgohet për procedim në njërën nga takimit e KPK-së.