Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj dy zyrtarëve policor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim të lehtë trupor

Prishtinë, 17 qershor 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve V.M. dhe A.D., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 195 dhe 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policor, në bashkëkryerje e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht një person (të dëmtuarin), në atë mënyrë që përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik, të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të vinte në stacionin policor, ashtu që, pasi kishte arritur në stacion, të dëmtuarin e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht.

 

Të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh nga data 16.06.2022.