Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vrasje e dyfishtë brenda familjes në Mitrovicën e Veriut

Mitrovicë, 27 maj 2022 – Rreth orës 5 - 5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllaun binjak U.B., me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.