Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet përkushtim në zvogëlimin e numrit të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike

Prishtinë, 5 tetor 2021 – Grupi punues për mbikëqyrjen e Njësitit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, i udhëhequr nga Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, ka bërë një vizitë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku është takuar me udhëheqësin e Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Zejnullah Gashi dhe udhëheqësen e Departamentit të Përgjithshëm të kësaj prokurorie.

Në këtë takim janë diskutuar sfidat dhe të arriturat e Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Po ashtu, ky njësit është informuar nga kryesuesi i Grupit punues për mbikëqyrjen e tij lidhur me raportimin në Këshillin Prokurorial të Kosovës për periudhën janar-qershor 2021 për veprat penale të krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Gjatë këtij takimi, Njësiti është njoftuar që KPK-ja ka marrë vendim që Komisioni për Çështje Normative të bëjë plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit.

Në fund të këtij takimi u kërkua përkushtim më i madh në zvogëlimin e numrit të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike dhe trajtim të tyre me prioritet të lartë.