Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i 200-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 29 qershor 2021– Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, ka zhvilluar takimin e 200-të me radhë.

Në fillim të këtij takimi, Këshilli ka themeluar Panelin hetimor për rastin e një prokurori të Prokurorisë Themelore në Pejë, në përbërje: Kujtim Munishi, kryesues dhe Nijazi Rexha dhe Bogdan Spadijer, anëtarë, ndërsa anëtarë rezervë u zgjodhën prokuroret Drita Hajdari dhe Natasha Tanic.

Këshilli, gjatë këtij takimi, ka diskutuar për kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës për ndryshimin e tarifave për kompensimin e avokatëve,  me ç’rast ka autorizuar komisionet e përhershme të shqyrtojnë kërkesat dhe të dalin me rekomandime për gjetjen e një zgjidhjeje.

Po në këtë takim, anëtarët e KPK-së kanë miratuar kërkesën e U.D.Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Valdrin Krasniqi, për harmonizimin e praktikave të proceseve të rekrutimit me Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pikë tjetër e shqyrtuar në këtë takim ishte edhe Raporti i Komisionit për Transferim dhe Avancim në procesin e avancimit të një pozite në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Me këtë rast, Këshilli ka miratuar Raportin e Komisionit të lartcekur me rekomandimin që prokurori Zejnullah Gashi të avancohet në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në vazhdim është mbajtur seanca dëgjimore për një rast disiplinor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial gjatë këtij takimi ka trajtuar edhe disa pika të tjera që ndërlidhen me fushëveprimtarinë e tij.