Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

REAGIM NGA KËSHILLI PROKURORIAL I KOSOVËS

Prishtinë, 7 maj 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ndaj artikullit “Pazaret” në drejtësi, Haxhiu e shqetësuar me “grupet e fuqishme” brenda KPK-së dhe KGJK-së”, të publikuar dje, më 6 maj 2021, në mediumin “Koha.net”, si dhe ndaj deklarimeve të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila aludon në kinse “grupe të fuqishme” dhe “pazare” brenda sistemit prokurorial. 

KPK-ja, vlerëson se ky artikull, i cili shfaq paragjykime për kinse ”manipulime” për zgjedhjen e pozitave menaxheriale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në këtë rast të pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, është i pavërtetë dhe krejtësisht tendencioz. 

Në këtë kontekst, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar me shqetësim edhe deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat si të tilla janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial. 
Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë?! 

Zgjedhja e cilësdo pozitë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfshirë këtu zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse dhe Kryeprokurorit të Shtetit, bëhet në bazë të Kushtetutës,  ligjit, meritokracisë, transparencës, monitorimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe standardeve më të larta profesionale, e jo nga dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit. 

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) si organ i pavarur dhe i paanshëm nuk do të lejojë asnjë interferim, tendencë apo çfarëdo interesi nga jashtë të ndikojë dhe cenojë integritetin e proceseve të rëndësishme, të cilat zhvillohen brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore.