Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Regjistrat manualë, temë diskutimi e Zëvendëskryesuesit të KPK-së me Kryeprokurorin e Ferizajt

Prishtinë, 31 mars 2021 - Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh Kryesuesi i Komisionit për Administrim të Prokurorive, Veton Shabani, i shoqëruar nga zëvendësmenaxheri i Projektit TIK-SMIL, Nexhat Haziri, ka mbajtur një takim pune me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Temë e diskutimit ishte largimi i regjistrave manualë në kuadër të digjitalizimit të procesit të punës, me ç’rast faza e pilotimit të këtij projekti do të zbatohet fillimisht në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, duke pasur parasysh se ka qenë prokuroria e parë e vlerësuar si ndër më të suksesshmet në implementimin e SMIL-it dhe pastaj do të zgjerohet edhe në të gjitha prokuroritë e tjera të vendit.

Ky aktivitet do të fillojë me regjistrat RLN dhe PPN më 3 maj 2021 dhe do të vazhdojë me regjistrat e tjerë.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara, u tha se pasi të ketë përfunduar procesi i pilotimit, në bashkëpunim me Komisionin për Administrimin e Prokurorive do të përgatitet raporti dhe plani i zgjerimit të largimit të regjistrave fizikë nëpër prokurori dhe të njëjtat dokumente së bashku me rekomandime do të dërgohen për miratim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.