Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve

 

Tema: Menaxhimi i ndikimit të pandemisë covid 19 në sistemin prokurorial

 

Hyrje
Është e rëndësishme të kontekstualizohet se si ndikimi i pandemisë Covid-19 u menaxhua brenda sistemit prokurorial, me të cilën u ballafaquam për herë të parë në fillim të marsit 2020, kur rastet e para të Covid-19 u regjistruan në Kosovë.

Në një përpjekje për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit, përgjigjja e hershme e qeverisë përfshiu mbylljen e kufijve të saj ndërkombëtarë dhe futjen e kufizimeve në lëvizjen e qytetarëve në Kosovë.

Pandemia ndikoi në të gjithë botën dhe rrjedhimisht as institucionet tona nuk ishin përjashtim; kjo do të thoshte që ne duhet të përshtateshim urgjentisht me mënyra të reja të punës.

Ngjashëm me shumicën e institucioneve në tërë botën, ne nuk kishim identifikuar më parë rreziqe të kësaj natyre për ushtrimin e funksioneve prokuroriale dhe në atë kohë, nuk kishim mekanizma adekuatë dhe të vlefshëm për të vlerësuar dhe zbutur rreziqe të tilla.

Veprimet për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga Covid-19

Për të adresuar këtë çështje, më 8 prill, ne mbajtëm një videokonferencë me Projektin e Mbretërisë së Bashkuar, me ç’rast diskutuam për hapat që duhet ndërmarrë nga Këshilli në përshtatje me situatën e re, të shkaktuar nga pandemia dhe, si rezultat i drejtpërdrejtë i konferencës, një seri veprimesh u identifikuan për të menaxhuar krizën.

Gjithashtu, ne u pajtuam që ishte e nevojshme një mënyrë më fleksibile e punës për të siguruar që sistemi prokurorial të vazhdonte ushtrimin e funksioneve prokuroriale.

Kjo përfshiu disa punë në distancë dhe në koordinimin e mëtejshëm me Ambasadën e SHBA-së u siguruan 29 laptopë, në mënyrë që prokurorët tanë t'i përdornin jashtë mjedisit të zyrave të tyre. Kjo Ambasadë na siguroi pajisje mbrojtëse ndaj virusit nga mesi i vitit 2020, me të cilat i plotësuam nevojat për gjashtë muaj.

Kjo ishte një përgjigje e shpejtë dhe e paprecedentë ndaj krizës urgjente, me të cilën u përballëm. Ne arritëm që në një afat rekord të sigurojmë edhe të gjitha pajisjet mbrojtëse ndaj virusit dhe ato u shpërndane te të gjithe prokurorët dhe stafi.

Një videokonferencë tjetër u zhvillua më 21 prill me Kryeprokurorin e Shtetit dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, në të cilën u prezantua dhe u ra dakord për Strategjinë dhe Planin e veprimit për menaxhimin e krizës. Kjo ishte një konferencë informuese, në të cilën ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyrën e Bashkimit Evropian.

Gjashtë ditë më vonë, Plani i menaxhimit të krizave u zbatua plotësisht në tërë sistemin prokurorial. U identifikuan rastet specifike që mund të parashkruheshin dhe një numër i funksioneve kritike të punës, për të cilat ekipet përcaktuan modalitetet e punës në secilën prokurori.

Ndërhyrjet u koordinuan nga një “Ekip qendror i menaxhimit të krizave”, i cili nën udhehiqjen e Kryeprokurorit të Shtetit takohej dhe merrte informata çdo javë, përmes raporteve nga ekipet rajonale të menaxhimit të krizave, të drejtuara nga kryeprokurorët e prokurorive.

Kjo ishte hera e parë që ishte vënë në dispozicion një mbikëqyrje qendrore e çështjeve kritike dhe siguroi që burimet të mund të përqendroheshin në kryerjen e punëve të domosdoshme  dhe esenciale përbrenda sistemit prokurorial.

Për të vlerësuar shkallën, në të cilën zyrat rajonale të prokurorisë ishin në përputhje me udhëzimet e lëshuara nga Ekipi qendror i krizës, u krijua një “panel”, që vlerësonte pajtueshmërinë me rregullat e përcaktuara; një ekip nga Këshilli dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit bëri vizita në zyrat rajonale të prokurorisë për të ndihmuar në këtë vlerësim. Ky ekip përgatitë edhe sot raporte të rregullta javore për gjendjen e prokurorëve dhe stafit lidhur me Covid 19-shin.

Nga fundi i majit dhe në qershor të vitit 2020 kishim një fazë më relaksuese të kufizimeve. Andaj, për të ndihmuar në menaxhimin e tranzicionit në punën e bazuar në zyrë, u hartua Strategjia e rifillimit të punës në zyrë dhe Udhëzimi i kthimit në punë. Kjo përkoi me rihapjen e kufijve ndërkombëtarë.

Strategjia e rifillimit të punës përcakton tre nivele rreziku që shkalla e infektimit në komunitet paraqet në vazhdimësinë e funksioneve normale të prokurorisë. Çdo nivel rreziku shoqërohet me veprime për të zbutur rrezikun që duhet të zbatohet në secilën zyrë të prokurorisë. Niveli i rrezikut rishikohet rregullisht, në mënyrë që niveli i duhur i mbrojtjes nga virusi të ofrohet për tërë stafin tonë. Tani jemi në nivelin e rrezikut 2 dhe të gjitha zyrat e prokurorisë janë pajisur me udhëzime që përshkruajnë se çfarë veprimesh të rrezikut kërkohen.

Ndikimi i veprimeve të ndërmarra

Ne kemi koordinuar veprimet tona dhe jemi përgjigjur shpejt përballë kësaj pandemie dhe është e rëndësishme të vlerësojmë ndikimin e veprimeve të ndërmarra për performancën, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Së pari, ne do të vlerësojmë ndikimin në ngarkesën me lëndë gjatë periudhave të njëjta të viteve 2019 dhe 2020. Po ashtu do të shohim ndikimin në mungesat e personelit për të njëjtën periudhë.

Gjatë vitit 2020 janë pranuar 11,847 apo 21.42% lëndë më pak se në vitin 2019                                     

Gjatë vitit 2020 janë zgjidhur 30,294 apo 38.02% lëndë më pak  se në vitin 2020                            

Gjatë vitit 2020 janë zgjidhur 113% e lëndëve të pranuara

 

 

  • Gjatë vitit 2019 janë zgjidhur 144% të lëndëve të pranuara
  • Gjatë vitit 2020 janë pranuar 11,847 apo 21.42% lëndë më pak sesa në vitin 2019 

                                   

  • Gjatë vitit 2020 janë zgjidhur 30,294 apo 38.02% lëndë më pak sesa në vitin 2020  

                         

  • Gjatë vitit 2020 janë zgjidhur 113% të lëndëve të pranuara

 

Kah fundi i qershorit dhe deri në korrik, nivelet e infeksionit u rritën dhe fatkeqësisht Gjyqësori regjistroi vdekjet e para të një gjykatësi dhe të dy prokurorëve.

Përderisa infeksionet ditore filluan të kalonin numrin 250 gjatë fundit të korrikut, puna në distancë u rivendos dhe u hartua Protokolli i punës në distancë dhe Shtojca me Pyetjet e bëra shpesh për sistemin prokurorial.

Në këtë kohë kishte një përqendrim të raportimi javor dhe qasja e menaxhimit të krizave u rishikua dhe u adaptua për të pasqyruar rreziqet në ndryshim.

Ndikimi i veprimeve të ndërmarra

Në shtator, ne së bashku me projektin e Mbretërisë së Bashkuar filluam rishikimin e zbatimit të Planit për menaxhimin e krizave, i cili përfshinte intervista me organizata të shoqërisë civile dhe anëtarë të personelit administrativ të Sekretariatit të KPK-së, si dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ka pasur komente shumë pozitive në lidhje me atë se si Prokuroria ka menaxhuar ndikimin e Covid-19-shit dhe si ka ndikuar në perceptimet e tyre për sistemin prokurorial, me ç’rast në prezantimin tim do ta theksoj një citim të Drejtorit të KIPRED: “Ekziston një perceptim nga publiku se Prokuroria nuk po bën asgjë, por unë e di që ata kanë punuar me të vërtetë shumë. Ekziston mundësia që Prokuroria të forcojë marrëdhëniet me publikun (PR-in e tyre)”.

Për më tepër, si përdorues i Planit të veprimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, konsideroi se "është një plan i mirë, është një plan i përsosur dhe ne po e përdorim atë".

Mësimet e nxjerra

Si pjesë të mësimeve të nxjerra brenda Planit të veprimit u identifikuan dy tema kryesore:

Së pari, u konsiderua thelbësore që të ekzistojë një metodë për identifikimin e rreziqeve kryesore operacionale për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe gjithashtu edhe për Këshillin.

Vlerësimi i rrezikut dhe planifikimi i vazhdimësisë së punës gjithashtu duhet të jetë pjesë integrale e procesit të planifikimit strategjik.

Së dyti, ka nevojë për një përgjigje të paraplanifikuar për ngjarje kritike. Një përgjigje e tillë kërkon një plan të strukturuar që testohet rregullisht, rishikohet dhe azhurnohet.

Sigurimi që të dyja këto mësime të merren në konsideratë dhe të zbatohen do të mundësojë që ky institucion të përgjigjet më shpejt në të ardhmen.

Hapat e ardhshëm

Ekzistojnë tre pjesë kryesore për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrim:

Së pari, duhet të kryhet një rishikim zyrtar i tërë procesit të punës gjatë pandemisë.

Së dyti, ne duhet të zhvillojmë qasjen tonë për menaxhimin e krizave dhe vazhdimësinë e punës si pjesë të procesit të planifikimit strategjik.

Së treti, ne duhet të vazhdojmë të menaxhojmë efektivisht Planin për rifillimin e punës.

Duke ju dëshiruar shëndet të gjithëve, ju faleminderit për vëmendjen tuaj!