Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurori Jetish Maloku zgjidhet Kryesues i KPK-së, ndërsa zëvendës i tij prokurori Veton Shabani

Prishtinë, 18 janar 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 193-të me radhë. Edhe ky takim, në bazë të Rregullores për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, është udhëhequr nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili njëkohësisht është anëtar i Këshillit sipas detyrës zyrtare.

Në fillim të takimit, i cili në rendin e ditës kishte zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurori Lumezi, njoftoi për nominimet e paraqitura për pozitat e lartcekura. Ai tha se për pozitën e Kryesuesit ka paraqitur nominimin vetëm anëtari i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, ndërsa për pozitën e Zëvendëskryesuesit vetëm anëtari i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Veton Shabani.

Më tej, kandidatët e nominuar për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit kanë paraqitur vizionet e tyre për udhëheqjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me ç’rast dy të nominuarit kanë prezantuar veprimet që do t’i ndërmarrin gjatë udhëheqjes së KPK-së.

Në vazhdim është zhvilluar procesi i votimit për Kryesuesin e KPK-së, ku me 10 vota për dhe 1 kundër është zgjedhur prokurori Jetish Maloku, ndërsa me 11 vota për dhe asnjë kundër është zgjedhur Zëvendëskryesues prokurori Veton Shabani.