Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni ka prezantuar punën një vjeçare të KPK-së


Prishtinë, 30 dhjetor 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në konferencën e fundvitit për media, ka prezantuar veprimtarinë njëvjeçare (2020) të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rezultatet dhe sfidat me të cilat Këshilli është ballafaquar në realizim të mandatit të tij, si dhe planifikimin për vitin 2021.

Kryesuesi Hyseni me këtë rast ka thënë: “Me lejoni në fillim të ju njoftoj që pas paraqitjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, Këshilli ka ndërmarrë veprime në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve të organeve kompetente për mbrojtje nga kjo pandemi. Këshilli dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me projektin britanik kanë hartuar Planin për menaxhimin e krizave në sistemin prokurorial. Po ashtu, ju njoftojmë që deri më sot sistemi prokurorial nuk ka kaluar pa pasoja nga kjo pandemi, sepse COVID-19 i ka marrë jetën dy prokurorëve.

Këshilli këtë vit ka mbajtur 16 takime, si dhe ka nxjerr rreth 170 vendime të cilat kanë shërbyer në realizimin e mandatit të tij ligjor dhe në shërbim të sistemit prokurorial. Për më tepër, Këshilli ka realizuar edhe takime tjera të shumta përmes komisioneve të veta të përhershme, ad hoc dhe trupave tjerë.

Këshilli gjatë këtij viti ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e Konceptdokumentit lidhur me Modalitetet e llogaridhënies me përfshirjen e Vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe përmes aktiviteteve në këtë grup, ka kontribuar në hartimin e këtij konceptdokumenti.

Po ashtu, Këshilli ka kontribuar në mënyrë aktive në grupet punuese të Rishikimit funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë.

Më lejoni që të përmend disa nga sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli, bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor:

Me qëllim të funksionalizimit dhe zbatimit të kompetencave dhe legjislacionit bazik, Këshilli nga kapacitetet e sistemit prokurorial si dhe në bashkëpunim dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtar, gjatë vitit 2020, ka hartuar dhe miratuar 7 rregullore që kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së, vlerësimin e performancës së prokurorëve, arkivimin e dokumenteve, administrimin e lëndëve në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë viktimave, organizimin dhe veprimtarinë e KPK-së, për trajnimet në sistemin prokurorial si dhe për angazhimin dhe përcaktimin e tarifave për kompensimin e përkthyesve dhe interpretëve në sistemin prokurorial.

Këshilli po ashtu ka miratuar edhe 2 udhëzime administrative që kanë të bëjnë me sigurimin, ruajtjen, qasjen dhe rendin në objektet e sistemit prokurorial të Kosovës si dhe Menaxhimin e shpenzimit të parasë publike në sistemin prokurorial të Kosovës.

Gjatë vitit 2020, nga Kuvendi i Kosovës është zgjedhur anëtari i Këshillit nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike. Po ashtu, Këshilli ka zgjedhur edhe anëtarët prokurorë nga 7 prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, pasi që anëtarëve aktual të këtyre prokurorive u skadon mandati më 31 dhjetor 2020.

Këshilli, gjatë vitit 2020, ka filluar procedurat për rekrutimin e 8 prokurorëve të rinj, ku ka publikuar listën me kandidatët që kanë plotësuar kriteret për tu nënshtruar testit kualifikues.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, Këshilli, ka zgjedhur Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Pejës dhe Mitrovicës, pasi kryeprokurorëve aktual u skadon mandati më 31 dhjetor 2020. Kryeprokurorët e zgjedhur fillojnë punën më 1 janar 2021.

Vlen të përmendet se, bazuar në Planin Strategjik të sistemit prokurorial të Kosovës 2019-2021, Këshilli ka themeluar 3 departamente të reja në Prokurorinë Speciale. Përveç Departamentit për Krime të Luftës që ishte themeluar në vitin 2015, janë themeluar edhe:

·         Departamenti për krim të organizuar dhe krime të tjera në kompetencë të PSRK;

·         Departamenti për Terrorizëm, dhe

·         Departamenti për Korrupsion dhe Krim financiar.

Kjo është bërë me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në këtë Prokurori.

Këshilli gjatë vitit 2020, me qëllim të trajtimit të lëndëve të rënda penale dhe me kërkesë të prokurorive përkatëse, ka avancuar 11 prokurorë të Shtetit nga departamenti i përgjithshëm në departamentin për krime të rënda dhe departamentin për të mitur nëpër prokuroritë themelore si dhe nga prokuroritë themelore në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Këshilli, po ashtu, ka transferuar gjashtë (6) prokurorë në prokuroritë themelore me qëllim të mbështetjes së prokurorive në trajtimin e rasteve penale.

Një prej objektivave të Këshillit për këtë vit ka qenë llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve. Andaj, gjatë vitit 2020, KPK ka zhvilluar procedurat disiplinore dhe ka shqiptuar masa disiplinore, të cilat masa kanë marrë formën përfundimtare:

·         4 vendime “Nuk ka kryer shkelje”;

·         1 Zvogëlim i përkohshëm i pagës në 30% për 6 muaj;

·         2 vërejtje jo publike me shkrim.

Ndërsa për 1 rast tjetër pritet të mbahet seanca dëgjimore në një nga takimet e radhës së Këshillit.

Po ashtu, gjatë kësaj kohe, Këshilli ka pranuar një kërkesë për fillim të procedurës disiplinore nga Avokati i Popullit, të cilën me vendim e ka hudhur. Vendimin për hudhje, pas ankesës së palës, e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme.

Të gjitha vendimet e formës përfundimtare janë duke u publikuar në ueb portalin e sistemit prokurorial të Kosovës, përveç vërejtjes jo publike me shkrim, siç parashihet me ligj.

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli gjatë vitit 2020, ka finalizuar vlerësimin e performancës për 51 prokurorë, me ç’rast janë vlerësuar 28 prokurorë me mandat të përhershëm, 22 prokurorë me mandat fillestar, si dhe 1 vlerësim të jashtëzakonshëm të një prokurori me mandat të përhershëm.

Po ashtu, KPK ka finalizuar vlerësimin mbi realizimin e obligimeve të 12 prokurorëve në trajnim fillestar në Akademinë e Drejtesisë.

Grupi Punues për mbikëqyrjen e punës së prokurorive të Kosovës dhe Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i themeluar me qëllim të zbatimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021 për të trajtuar me prioritet dhe me qëllim të zvogëlimit të numrit të lëndëve për rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik, ka vazhduar me sukses punën edhe gjatë këtij viti.

Si rezultat, sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 263 raste të korrupsionit të pranuara ka zgjidhur 220 raste, respektivisht, ka zgjidhur 83.65% të rasteve të pranuara. Me prioritet gjatë këtij viti janë trajtuar edhe raportet penale PPN në rastet e korrupsionit ku si rezultat gjatë periudhës janar-shtator 2020, nga 199 Informata PPN të pranuara, prokuroritë e Kosovës kanë trajtuar dhe përfunduar 211 Informata PPN apo 106.03% të rasteve të pranuara.

Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 261 raste të pranuara janë zgjidhur 227 raste, respektivisht janë zgjidhur 86.97% e rasteve të pranuara.

Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Për më tepër, në ditët e fundit, përmes raportit të publikuar nga IKD, edhe vet  shoqëria civile ka gjetur se nga prokuroritë e Kosovës janë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve/zyrtarëve shtetëror, ku shumica prej tyre janë ngritur gjatë kohës kur ata kanë qenë duke ushtruar pozita zyrtare. Personat ndaj të cilëve janë ngritur këto aktakuza vijnë nga të gjitha komunitetet në Kosovë dhe të gjitha partitë politike.

Nga këto aktakuza, 189 janë ngritur ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit lokal, ndërsa 109 të tjera ndaj atyre të nivelit qendror.

Shumica e këtyre aktakuzave janë ngritur për veprat penale që bëjnë pjesë në kapitullin e veprave korruptive.

Si një ndër projektet më të rëndësishme për Këshillin është Projekti TIK/SMIL i cili është bashkëfinancim me Qeverinë Norvegjeze.

Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve është vënë në zbatim në prokuroritë themelore në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Prizren dhe Prokurorinë Speciale.

Gjatë këtij viti është implementuar shpërndarja automatike e lëndëve. Gjithashtu janë regjistruar edhe të gjitha veprimet dhe aktet e prokurorëve.

Të gjitha lëndët/rastet që janë pranuar, janë regjistruar në SMIL.

Numri i përgjithshëm i rasteve që janë regjistruar në sistem elektronik nga muaji Janar – Nëntor 2020 është si në vijim:

·         Në të gjitha Prokuroritë Themelore dhe në Prokurorinë Speciale janë regjistruar 30,873 raste (këtu janë të përfshirë regjistrat PP, PPM, PPP dhe PPN);

·         Ndërsa, në Prokurorinë e Apelit, nga muaji shtator 2020 kur ka filluar zbatimi i SMIL në këtë prokurori deri në muajin nëntor 2020, janë regjistruar gjithsej 1,037 raste.

Është vënë në zbatim SMIL në Prokurorinë e Apelit ndërsa në Zyren e Kryeprokurorit të Shtetit është në fazën finale dhe pritet në muajin janar 2021 të fillojë trajnimi i stafit.

Po ashtu, është në proces zhvillimi i regjistrave elektronik në kuadër të SMIL, që nënkupton që në vitin 2021 do të largohen nga puna të gjitha regjistrat fizik.

Është vënë në zbatim shkëmbimi elektronik i të dhënave mes prokurorive dhe Policisë së Kosovës. Po ashtu, është bërë ndërlidhja elektronike përmes sistemit SMIL ndërmjet prokurorive dhe gjykatave.

Gjatë këtij viti, Këshilli dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërlidhjen e sistemeve elektronike dhe shkëmbimin e të dhënave në formë elektronike mes ketyre dy institucioneve, e që pritet të pilotohet në gjashtëmujorin e parë të 2021.

Sa i përket aspekteve tjera të teknologjisë së informacionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës është zotuar që të krijojë një mjedis të punës, i cili do të mundësojë vënien në dispozicion të shërbimeve digjitale online, të ofruar jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim është implementuar dhe vënë në zbatim sistemi elektronik i menaxhimit të rasteve (donacion i GIZ) në Zyrën për Mbrojtën dhe Ndihmë Viktimave. Te gjitha rastet regjistrohen në sistem dhe numri i rasteve të regjistruara nga muaji tetor 2020 deri më 30 nentor 2020 është 703.

Digjitalizimi i procesit të punës është një ndër synimet e KPK, prandaj bazuar në planin e punës janë implementuar edhe sisteme tjera elektronike siç është sistemi i aplikimit dhe testimit elektronik për rekrutimin e prokurorëve, si dhe sistemi për menaxhimin e buxhetit dhe financave.

Është ngritur niveli i sigurisë në të gjitha objektet e prokurorive, duke bërë instalimin e pajisjeve të sigurisë si dhe janë furnizuar me pajisje të Teknoligjisë Informative të nevojshme për punë përfshirë edhe donacionin e ambasadës Amerikane me gjithsej 29 laptop për prokurorët të cilët merren me lëndët e dhunës në familje. 

Sa i përket buxhetit, buxheti fillestar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2020 ishte 15,021,835.00 euro e që është për 6% më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

Mirëpo, me rishikimin e buxhetit si dhe me vendim të Qeverisë për kursime buxhetore, buxheti i Këshillit është zvogëluar për 1,557,396.14 euro apo 10%. Aktualisht, buxheti përfundimtar i sistemit prokurorial është 13,464,438.86 euro

Deri më tani, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar 97.27% të buxhetit total, për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore të Këshillit për shpenzimet e krijuara deri më 24 dhjetor 2020.

Njësia e Auditimit të Brendshëm, gjatë vitit 2020 ka kryer auditimet e pajtueshmërisë, të cilat kryesisht mbulojnë proceset buxhetore, shpenzimet, të hyrat, paratë e gatshme, menaxhimin e pasurive, të dhënat për pasuritë dhe mirëmbajtjen e tyre, sistemin e prokurimit dhe procedurat që kanë të bëjnë me furnizime dhe shërbime, auditimin e ZMNV-së, si dhe angazhimin e auditimit për rekrutimin e stafit dhe sistemi i pagave në Divizionin e Burimeve Njerëzore, për të vlerësuar sistemin e kontrollit të brendshëm. Sipas planit vjetor, janë planifikuar dhe realizuar pesë auditime, gjë që reflekton në angazhimin sistematik për përmbushjen e objektivave të njësisë me qëllim të funksionimit të organizatës.

Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë gjatë vitit 2020 ka vazhduar aktivitetet në bazë të mandatit të vet, ku ka mbeshtetur komisionet e përhershme dhe ad hoc të Këshillit ka përgatitur raporte pune, raporte statistikore dhe analitike për nevojat e sistemit prokurorial, organizatave dhe institucioneve të ndryshme, studentëve dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe ka koordinuar trajnimet e prokurorëve dhe stafit mbështetës.

Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër institucionet vendore do të veçoja: Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Akademinë e Drejtësisë, Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Odën e Avokatëve, Avokatin e Popullit, Policinë e Kosovës, si dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit.

Kurse, ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të theksoja bashkëpunimin me: Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrën e BE-së në Prishtinë, UNDP-në dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Holandës dhe ambasadat e tjera, EULEX-in, Këshillin e Evropës, Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), GIZ-in dhe institucione e organizata të tjera. 

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian, ku të gjitha kapacitetet e Këshillit u janë përgjigjur në çdo kohë kërkesave për raportim dhe janë bërë përgatitjet e projekt-propozimeve të ndryshme për financim të projekteve.

Kryesuesi i Këshillit gjatë vitit 2020, me autorizim të Këshillit, ka nënshkruar 8 marrëveshje bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si:

        i.            Marrëveshje bashkëpunimi në mes KPK dhe KGJK për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike nga SMIL;

     ii.            Marrevëshje bashkëpunimi në mes KPK dhe KGJK për avancimin dhe mirëmbajtjen e SMIL dhe Qendres së të dhënave;

   iii.            Memorandum për donacion për pajisje personale mbrojtëse në mes Ambasadës Amerikane dhe KPK-së ;

   iv.            Marrëveshje bashkëpunimi në mes KPK dhe ATK-së, për ndërlidhjen e sistemeve elektronike dhe shkëmbimin e të dhënave në formë elektronike në mes të KPK-së dhe ATK-së;

      v.            Memorandum mirëkuptimi për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit në mes ERA, KPK, Komuna e Pejës, Komuna e Deçanit, Komuna e Istogut, Komuna e Junikut;

   vi.            Memorandum mirëkuptimi në mes KPK-së dhe Agjencise Kadastrale të Kosovës, për krijimin e bashkëpunimit në mes palëve nënshkruese për qasjen në Regjistrin për të Drejtat në Pronën e Paluajtshme përmes ueb shërbimeve;

 vii.            Memorandum Bashkëpunimi në mes KPK-së dhe Lëvizjes Fol, Internews Kosova dhe Debate Center, për përcaktimin e veprimeve të përbashkëta për zbatimin e projektit i cili ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë;

viii.            Memorandum bashkëpunimi nës mes të KPK-së dhe fakultetit juridik të Universitetit Publik të Mitrovicës “Isa Boletini”për avancimin e cështjeve me interes reciprok.

KPK ka vazhduar avancimin e implementimit të strategjisë për komunikim, ndërsa ka hartuar draftin e parë të Strategjisë së re për Komunikim 2021-2023, strategji e cila në përmbajtjen e saj do të jetë më e avancuar.

Sistemi prokurorial ka vazhduar me publikimin e raportit 24 orësh përmes së cilit publiku njoftohet lidhur me veprimet e prokurorive për 24 orë sa i përket rasteve penale si: ndalimet me vendim të prokurorit, paraburgimet, sekuestrimet dhe kontrollet, aktakuzat, me theks të vecantë ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjatë këtij viti qasja në informata në sistemin prokurorial është avancuar duke pasur parasysh fuqizimin me kapacitete njërzore.

Uebportali i sistemit prokurorial është pasuruar në baza ditore me informata të reja që mund të iu shërbejnë qytetarëve.

Për më tepër, edhe përkundër situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, takimet e Këshillit kanë vazhduar të jenë të hapura përmes sistemit online për mediat dhe publikun.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk do të ndalet së punuari që komunikimi, transparenca, llogaridhënia, perceptimi dhe besueshmëria për këtë sistem të arrijnë vlerësimin e merituar nga opinioni publik.

Këshilli në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ka arritur që edhe gjatë vitit 2020 të koordinojë dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit. Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë vendor dhe ndërkombëtar janë organizuar programe të ndryshme trajnuese, bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Siç e dini, pjesës më të madhe të përbërjes aktuale të Këshillit i përfundon mandati 5 vjecar në fund të këtij viti. Gjatë këtyre 5 viteve Këshilli është ballafaquar me sfida të ndryshme mirëpo me punën e bërë ka arritur edhe shumë suksese. Vlen të përmenden që gjatë kësaj përiudhe Këshilli ka hartuar politika të reja për ngritjen e efikasitetit në punën e prokurorëve, ka rekrutuar 71 prokurorë të rinj dhe e ka rritur numrin e prokurorëve në sistemin prokurorial për 32%, ka miratuar 28 rregullore, 9 udhëzime administrative, strategji të ndryshme dhe ka marrë 850 vendime.

Kjo përbërje e Këshillit ka avancuar procesin e vlerësimit të përformances së prokurorëve, procesin e disiplinimit të prokurorëve, procesin e zgjedhjes së kryeprokurorëve, po ashtu ka bërë riorganizimin funksional të administratës në sistemin prokurorial.

1.      SFIDAT GJATË VITIT 2020

Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2020 përveç të arriturave natyrisht që kishim edhe sfida të ndryshme. Dëshiroj të theksoj se ndër sfidat kryesore me të cilat jemi ballafaquar janë:

§  Situata e krijuar me pandeminë COVID-19;

§  Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me dy (2) anëtarë joprokurorë, që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Këshillin Prokurorial në prill vitit 2019, nuk është përgjegjësi e Këshillit as përzgjedhja e as procedurat teknike të shpalljes së konkursit;

§  Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara, duke pasur parasysh se këtë vit pas rishikimit buxhetor nga Qeveria e Kosovës, sistemit prokuroral i është ulur buxheti për 10%;

§  Mungesa e legjislacionit për rregullimin e ekspertizave;

§  Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimet kibernetike);

§  Mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial;

§  Infrastruktura fizike (zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit); 

§  Pezullimi i Ligjit për zyrtarët publik dhe pritja e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë ligj ka shkaktuar pengesa në hapjen e konkurseve për rekrutim, avancim dhe transferim të administratës së sistemit prokurorial;

§  Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të sistemit prokurorial.

 

Ne si Këshill i kemi trajtuar seriozisht këto sfida, duke dërguar kërkesa të shumta dhe të argumentuara buxhetore në Ministrinë e Financave, në Qeveri dhe në Kuvend.

2.      Planifikimi i punës së Këshillit për vitin 2021

Dëshiroj t’ju njoftoj se Këshilli është duke finalizuar Planin vjetor të punës për vitin 2021, në të cilat janë planifikuar aktivitetet e parapara me mandatin ligjor, Planin strategjik të sistemit prokurorial 2019 - 2021 dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

Sic edhe jeni të njoftuar, në janar 2021, Këshilli do të fillojë punën me përbërjen e re prej 6 anëtarëve nga 6 prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, pasi që mandati i anëtarëve aktual të këtyre prokurorive do të përfundojë më 31 dhjetor 2020. Po ashtu, kryeprokurori i ri i zgjedhur i Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorët e rinj të 5 prokurorive themelore do të fillojnë punën në janar 2021.

Po ashtu, gjatë vitit 2021 do të fillojë procesi i hartimit të Planit Strategjik të sistemit prokurorial, pasi që plani aktual skadon në fund të vitit 2021.

Për më tepër, në reflektim të ndryshimeve ligjore, Këshilli do të vazhdojë punën në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse të parapara me këto ndryshime.

Gjatë vitit 2021 pritet të përfundojë procesi i rekrutimit të 8 prokurorë të rinj.

Si përfundim, ju njoftoj se në pajtim me ligjin, Këshilli do të publikojë Raportin e punës për vitin 2020 në fillim të vitit 2021 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare të Këshillit dhe në kopje fizike, me ç’rast publiku dhe Ju, përfaqësues të nderuar të mediave, do të informoheni në detaje për aktivitetet tona gjatë vitit që po e lëmë pas.

Me këtë rast ju falënderoj juve si përfaqësues të mediave të respektuara për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti dhe ju uroj vitin e ri, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Këshillit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.”