Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Komisioni për Çështje Normative prezanton aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2020

Prishtinë, 23 dhjetor 2020 – Komisioni për Çështje Normative, i udhëhequr nga Kryesuesi Zejnullah Gashi ka mbajtur takimin e fundit për vitin 2020, me ç’rast ka bërë përmbledhjen e aktiviteteve dhe punëve të realizuara gjatë këtij viti.

Në këtë takim u tha se përkundër situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, Komisioni për Çështje Normative nuk i ka ndalur aktivitetet e tij, me qëllim të zbatimit të Planit të punës për vitin 2020, dhe në funksion të ushtrimit të mandatit që ka.

Sipas kryesuesit të Komisionit për Çështje Normative, objektivat për vitin 2020 kanë qenë: rishikimi i pakos së akteve nënligjorë të Këshillit, harmonizimi i akteve nënligjore me dispozitat e ligjeve, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit të administrimit të sistemit prokurorial.

Në këtë takim anëtarët e komisionit konstatuan se Plani i punës për vitin 2020 është realizuar, ndërsa shtuan se gjatë këtij viti Komisioni ka proceduar për në Këshill gjithsej 6 rregullore dhe 2 udhëzime administrative ku të gjitha janë votuar unanimisht .

Në fund të takimit u tha se Komisioni për Çështje Normative gjatë hartimit të akteve nënligjore të gjitha veprimet i ka bashkërenduar me përfaqësuesit ndërkombëtar që mbështesin punën e Këshillit dhe Komisionit në veçanti, duke përmendur Ambasadën Amerikane, EULEX-in, projektin e BE-së, UNDP dhe shoqëri civile.