Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Planifikimet strategjike, temë e trajnimit për zhvillimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial

Prishtinë, 18 nëntor 2020 – Në kuadër të projektit të Luksemburgut për zhvillimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial për zbatimin e MSA-së, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar një trajnim për identifikimin e problemeve dhe prioritizimin e objektivave dhe planifikimit strategjik në sistemin prokurorial, i cili është zhvilluar përmes platformës online për dy ditë me radhë.

Ky trajnim është zhvilluar nga eksperti gjerman, Klaus Erdmann, kurse pjesëmarrës ishin anëtarët e rinj të zgjedhur të Këshillit Prokurorial të Kosovës, udhëheqësit e njësive të Sekretariatit të KPK-së dhe zyrtarët administrativë.

Gjatë trajnimit janë prezantuar dhe diskutuar mënyrat, format, metodat dhe shembuj të hartimit të dokumenteve strategjike dhe janë simuluar edhe detyra praktike, me ç’rast janë prezantuar ide të ndryshme për përgatitjen e një dokumenti strategjik.

Gjithashtu në fokus të trajnimit ishte edhe identifikimi dhe vlerësimi i problemeve, duke përcaktuar kontekstin e tyre dhe duke kryer analizën e shkakut dhe pasojës së tyre, pastaj prioritizimi i objektivave të veçanta dhe të përgjithshme me anë të tabelave planifikuese për një fushë të caktuar, si dhe përkufizimi i elementeve të dokumenteve strategjike të sistemit prokurorial.