Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni vizitoi Odën e Avokatëve të Kosovës

Prishtinë 2 qershor 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, Arben Ismajli dhe Zejnullah Gashi, ka vizituar Odën e Avokatëve të Kosovës, me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj ode, Behar Ejupi dhe nënkryetari Naim Rudari.

Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në mes të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes krijimit të politikave adekuate për fuqizimin e raporteve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Kryesuesi Bahri Hyseni uroi Kryetarin dhe Nënkryetarin për zgjedhjen e tyre në OAK, duke thënë se do të jetë në gatishmëri për të dëgjuar të gjitha sfidat që preokupojnë avokatët, nëpërmjet takimeve të ndërsjella, si dhe duke bërë hapa konkretë me qëllim të përmirësimit të funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Kryetari i Odës, Behar Ejupi, theksoi nevojën e pakontestueshme për ngritjen dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në mes të të dyja institucioneve, duke shikuar mundësinë për takime të rregullta dhe sa më të shpeshta, me qëllim të eliminimit të sfidave të avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të përditshëm.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të mbajnë edhe takime të tjera, përmes të cilave synohet identifikimi i çështjeve që janë me rëndësi për të dyja institucionet dhe për t’i avancuar bashkërisht proceset.