Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohen zhvillimet në administratën e sistemit prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 17 janar 2020 – Në kuadër të Konferencës vjetore të prokurorëve, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, ka folur para të pranishmëve për administratën e sistemit prokurorial.

Drejtori Krasniqi ka thënë fillimisht se administrata e sistemit prokurorial ndahet në dy pjesë -  në atë të Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit, të cilën e përbën një numër i  përgjithshëm i personelit prej 652 personash, 556 nga Prokurori i Shtetit dhe 86 nga Sekretariati i KPK-së, së bashku me Njësitin për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë (NJSHPP).

Z.Krasniqi theksoi se rrjedhimisht Sekretariati i KPK-së ndihmon Këshillin në zbatimin e rregullave, rregulloreve dhe politikave lidhur me menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e prokurorive, zhvillon dhe propozon rregulla administrative për zbatimin e vendimeve të Këshillit, i propozon Këshillit politika, rregulla dhe rregullore për administrimin efikas dhe efektiv të prokurorive, si dhe sipas udhëzimeve të Këshillit dhe Komisionit përgatit draftbuxhetin dhe administron buxhetin e miratuar.

Po ashtu, sipas udhëzimeve të Këshillit dhe Komisionit përkatës, menaxhon personelin administrativ të prokurorive, përfshirë vlerësimin e performancës dhe siguron që prokuroritë të kenë furnizim të duhur me materiale për funksionim të rregullt dhe ofron mbështetje administrative për Këshillin, komisionet e tij dhe Prokurorin e Shtetit.

Në kuadër të Këshillit Prokurorial funksionon Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë (NJSHPP), i cili mbikëqyr dhe raporton për punën e prokurorive, mbështet procesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe prokurorive, përgatit raporte të rregullta statistikore sipas kërkesave të KPK-së dhe PSH-së, si dhe kryen verifikimin prokurorial dhe mbështet procesin e emërimit, avancimit dhe transferimit të prokurorëve.

Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi, theksoi se synohet rritja e vazhdueshme e profesionalizimit dhe efikasitetit të punës, avancimin e llogaridhënies dhe integritetit personal të zyrtarëve, riorganizimi dhe klasifikimi i pozitave brenda sistemit prokurorial, rritja e numrit të personelit dhe rishikimi i proceseve të punës në përputhje me nevojat e sistemit prokurorial, si dhe rregullimin e statusit të zyrtarëve të administratës sipas parimeve kushtetuese.

Ndërkaq, sipas tij, sfidat e administratës së sistemit prokurorial janë: struktura aktuale dhe rregullimi ligjor aktual, mosharmonizimi i legjislacionit për nëpunësit civilë me nevojat e strukturës së sistemit prokurorial, pamundësia e përfshirjes së strukturës së re të propozuar në procesin e klasifikimit të pozitave siç është përcaktuar në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, si dhe mospërputhja e afateve kohore për përgatitjen e dokumenteve për klasifikimin e pozitave dhe atij për hartimin e akteve përkatëse nënligjore për riorganizim.