Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurorja Pula, paraqet objektivat e Prokurorit të Shtetit

Prishtinë, 17 janar 2020 – Në kuadër të “Konferencës vjetore të prokurorëve”, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, ka paraqitur objektivat e Prokurorit të Shtetit për vitin 2020, si dhe ka prezantuar Planin e punës.

Prokurorja Pula, ka potencuar se objektivat e Prokurorit të Shtetit janë, avancimi i punës profesionale të prokurorit të shtetit, fuqizimi i besimit të publikut se prokurori i shtetit është profesional, transparent, llogaridhënës, efikas, efektiv dhe i pavarur, si dhe forcimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, prokurorja Pula, theksoi se digjitalizimi dhe modernizimi i punës, forcimi i pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të prokurorit të shtetit, janë objektiva të cilat ka ky institucion.

Ndërkaq, një ndër objektivat e prokurorit të shtetit është edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve të fituara me vepër penale.

Prokurorja Pula, tha se mbrojtja e shoqërisë nga kriminaliteti dhe krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë janë gur themele të punës së Prokurorit të Shtetit, kurse vendosja para përgjegjësisë e të gjithë shkelësve të ligjit dhe ndjekja deri në dënimin meritor është synimi parësor, duke theksuar se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të jetë i pavarur, i drejtë dhe të kërkojë vënien e drejtësisë në çdo rast, duke vepruar me etikë, profesionalizëm të lartë dhe duke u përpjekur për të arritur përsosmërinë.