Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Një muaj paraburgim të dyshuarit që iu gjetën në banesë 2.4 kilogramë drogë, pranga, fishekë dhe sprej

Mitrovicë, 29 korrik 2019 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin F.S., nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK, “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike“ nga neni 268 paragrafi 1 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se deri me datë 27 korrik 2019, i dyshuari në banesën e tij në Vushtrri, pa autorizim është furnizuar me substancë narkotike në sasi prej 2 kilogramë e 400 gramë të llojit marihuanë të ndara në nëntë (9) qese në sasi të ndryshme, si dhe një (1) qese në të cilat ishin farat e bimës së kanabisit me peshë prej 34.3 gramëve, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur një palë pranga të ngjashme me të policisë, tetë (8) copë fishekë, si dhe një (1) sprej.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur me datën 28 korrik ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit F.S., masën e paraburgimit prej një (1) muaji.