Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Finalizohet Draftrregullorja për Qasje në Dokumente Publike të Sistemit Prokurorial

Prishtinë, 9 nëntor 2023 – Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga z.Armend Zenelaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin morën pjesë anëtarët e komisionit, përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Pas diskutimeve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, anëtarët e Komisionit për Çështje Normative përmbyllën punën për hartimin e draftit të Rregullores për Qasje në Dokumente Publike të Sistemit Prokurorial, duke theksuar se ky akt nënligjor është një ndër dokumentet më të rëndësishme për zbatimin e transparencës publike të Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit.

Në përfundim të takimit, kryesuesi i këtij komisioni, shprehu falënderim për kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në hartimin e këtij akti, i cili është hartuar në përputhje me ligjin përkatës dhe aktet e tjera ligjore, si dhe bazuar në standardet dhe praktikat më të mira të qasjes në dokumentet publike.