Fjalim Intervista - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni: Kemi aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimin e prokurorëve

Prishtinë, 17 janar 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në Konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit.

Në hapje të kësaj konference, në emër të KPK-së, Kryesuesi Hyseni ka mbajtur një fjalë rasti para të pranishmeve, me ç’rast ka thënë, si në vijim:

Është kënaqësi e veçantë për mua që në emër të Këshillit Prokurorial të Kosovës të ju dëshiroj mirëseardhje në Konferencën Vjetore të Prokurorëve.

Nuk ka shumë kohë që kemi përfunduar një vit pune, në të cilin së bashku shënuam shumë rezultate, me të cilat mund të krenohemi, por edhe filluam një vit, tashmë kur përpara na presin sfida të shumta që presin vëmendjen tonë.

Sot kur jam këtu para jush ndihem krenar për të arriturat e përbashkëta dhe po ashtu ndihem i vendosur t’ju them se do të vazhdojmë të avancojmë sistemin prokurorial, duke aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimin e prokurorëve.

Ne do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve dhe transparencës.

Ne në vazhdimësi kemi pasur objektiva për të krijuar kushte më të mira për punë, numër të mjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit administrativ, si dhe pajisje më moderne për punë, andaj, sot, dua ta theksoj se të gjithë jemi dëshmitarë se tashmë pothuajse të gjitha këto objektiva i kemi arritur si Këshill.

Këto të arritura nuk janë bërë vetvetiu, por falë një pune intensive të Këshillit Prokurorial me të gjitha njësitë e tij, siç janë Komisionet e Këshillit, Sekretariati dhe Njësiti i Performancës së Prokurorisë.

Ne kemi avancuar sistemin e planifikimit, duke punuar së bashku, kemi rritur buxhetin përmes një planifikimi më të mirë dhe një shpenzimi më efektiv. Këtu dua të theksoj se buxheti i miratuar për sistemin prokurorial për vitin 2019 është shpenzuar 98 %, ndërsa raporti i Auditorit të Zyrës Kombëtare të Auditorit ishe një ndër më të mirët deri më tani me vetëm dy rekomandime, të cilat janë implementuar në tërësi.

Ne kemi arritur që për herë të parë pas shumë viteve të rekrutojmë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe aktualisht në sistem kemi numrin e mjaftueshëm të prokurorëve.

Ne sapo kemi përfunduar emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe së shpejti do të fillojmë rekrutimin e prokurorëve të rinj në zëvendësim të atyre që shkojnë në pension.

Nuk mund të mos theksoj këtu punën që është bërë aktualisht nga Akademia e Drejtësisë për trajnimin fillestar të 12 prokurorëve të rinj, të cilët pritet që së shpejti të përfundojnë trajnimin dhe të fillojnë punën me raste.

Për të gjithë prokurorët e rekrutuar aktualisht kemi rekrutuar stafin e domosdoshëm dhe jemi në proces të rekrutimit të stafit tjetër të nevojshëm.

Këshilli përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve ka vlerësuar prokurorë të niveleve të ndryshme sipas një planifikimi paraprak vjetor dhe ka filluar reformimin e sistemit të vlerësimit të performancës. Në këtë drejtim jemi duke punuar intensivisht me ekspertë vendorë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë në hartimin e një rregulloreje të re, e cila do ta avancojë edhe më tutje sistemin e vlerësimit të performancës.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Këshill i kemi përfunduar të gjitha obligimet ligjore, duke hartuar aktet përkatëse nënligjore, kemi themeluar panelet disiplinore, kemi aprovuar Kodin e ri të etikës për prokurorë dhe kemi transferuar stafin përgjegjës për mbështetjen e paneleve. Me bindje të plotë them se përkundër sfidave kemi arritur të përfundojmë me sukses procedurat në disa raste disiplinore ndaj prokurorëve dhe i kemi përfunduar të gjitha sipas afateve ligjore.

Ndër të arriturat kryesore, dua të theksoj edhe avancimin e sistemit të menaxhimit të rasteve përmes sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve, i njohur si SMIL. Është punuar shumë deri më tani në këtë drejtim dhe jam krenar të them se pas një pune të shkëlqyeshme të prokurorëve dhe stafit të sistemit prokurorial sot pranojmë rastet e reja dhe i punojmë ato përmes këtij sistemi. Gjithashtu kemi arritur që për një kohë rekorde (për 4 muaj) të regjistrojmë të gjitha lëndët e vjetra në SMIL. Këshilli e ka prioritet të lartë aplikimin e këtij sistemi dhe me vendim të veçantë e ka bërë të obligueshëm zbatimin e tij nga çdo prokuror dhe staf i prokurorisë.

Vlen të përmendet se Këshilli ka miratuar dhe është duke zbatuar Planin strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, në të cilin janë përcaktuar objektivat trevjeçare të tërë sistemit prokurorial.

Këshilli ka miratuar po ashtu Strategjinë për Krime të Luftës dhe ka themeluar mekanizmat e paraparë për implementimin e kësaj strategjie, si: Task Forca dhe grupi monitorues që në përbërjen e tij ka përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë. Vlen të përmendet se ky dokument është me karakter nacional dhe ka mundësuar që Departamenti për Krime Lufte të trajtojë me prioritet rastet e kësaj natyre.

Si Këshill kemi punuar shumë edhe në drejtim të zhvillimit profesional të prokurorëve, duke caktuar nevojat për trajnime të prokurorëve dhe personelit administrativ, si dhe aktualisht e kemi hartuar një rregullore të veçantë, përmes të cilës do të përcaktohen parimet, kriteret dhe metodologjitë më të avancuara për koordinim më të mirë të trajnimit të prokurorëve përmes Akademisë së Drejtësisë dhe partnerëve të tjerë të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.

Ne kemi punuar intensivisht edhe për të ngritur nivelin e sigurisë për prokurorë dhe personel, por na duhet të bëjmë edhe më shumë në drejtim të rritjes së nivelit të sigurisë. Si Këshill mbesim të përkushtuar të mbrojmë me çdo mjet secilin prokuror, i cili ushtron kompetencat kushtetuese dhe ligjore.

Meritat për të arriturat tona dua t’ia atribuoj edhe mbështetjes së partnerëve tanë, të cilët ishin dhe janë me ne në rrugën tonë të përbashkët. Me respekt të lartë çmoj mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Zyrës së Bashkimit Evropian, Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, UNDP-së, GIZ-it, IRZ-së, OSBE-së, Këshillit të Evropës etj.

Të gjithë ne e dimë se sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe ai gjyqësor e prokurorial në veçanti kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme reformash. Që nga koha kur Gjyqësori u administrua nga ndërkombëtarët e deri në ditët e sotme janë bërë shumë ndryshime e dhe padyshim se mund të theksojmë se kishte dhe ka një avancim gradual.

Reformat, përmes të cilave kemi kaluar që nga paslufta kishin të bëjnë jo vetëm me ndryshime të ligjeve bazike të të gjitha lëmive të së drejtës, por edhe me ndryshime dhe reformim të strukturës së prokurorive dhe jo vetëm. Për të tejkaluar me sukses të gjitha reformat dhe zhvillimet nuk ishte e lehtë dhe shumicës nga ne mund t’i kujtohen shumë momente sfiduese të kaluara përgjatë këtyre proceseve.

Në një ditë si kjo, ne patjetër se duhet t’i kujtojmë ato zhvillime reformuese, por edhe duhet ta pyesim veten se çka mund të bëjmë më tepër që të përmirësojmë kushtet e punës dhe pozitën tonë, por gjithashtu duhet që të punojmë më tepër dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim, t’u ofrojmë drejtësi.

Dy vjetët e kaluara është punuar shumë lidhur me rishikimin funksional të sektorit të Drejtësisë dhe duke qenë pjesë e rëndësishme e objektivave për ndryshim kemi caktuar objektiva të qarta për avancim dhe ndryshim . Do të punojmë ngushtë me të gjithë partnerët tanë në këtë drejtim dhe ju garantoj që do të mbrojmë vlerat dhe interesat më të mira të prokurorëve dhe stafit të sistemit prokurorial.

Që të kemi besimin e publikut në punën tonë duhet të punojmë pa u ndaluar dhe të krijojmë një ambient ku ka qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë. Andaj, dua të përmend shkurtimisht se disa nga prioritetet e Këshillit për këtë vit do të jenë:

  • Fuqizimi i kornizës ligjore dhe strukturës organizative të sistemit prokurorial;
  • Ngritja e nivelit të llogaridhënies dhe kontrollit permanent të punës së prokurorëve;
  • Fuqizimi i integritetit të prokurorëve dhe stafit administrativ;
  • Avancimi i sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve;
  • Ngritja e nivelit të transparencës;
  • Avancimi i kritereve për rekrutim meritorë;
  • Zhvillimi i mëtejmë i sistemit të ngritjes në karrierë;
  • Përmirësimi i nivelit të menaxhimit dhe administrimit;
  • Përmirësimi i vazhdueshëm i planifikimit, buxhetit dhe kushteve për punë;
  • Ngritja profesionale e prokurorëve dhe stafit administrativ dhe
  • Bashkëpunimi dhe koordinimi më i mirë me partner vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në fund, dua të theksoj edhe njëherë nevojën për mbështetje të sistemit prokurorial nga të gjithë, sepse vetëm së bashku mund ta fuqizojmë një sistem prokurorial të pavarur, profesional, transparent, efikas, efektiv dhe llogaridhënës.

Përfundimisht vlerësoj rëndësinë e madhe të kësaj konference, prandaj duke i falënderuar të gjitha ata që punuan në organizim të saj, ju dëshiroj punë të mbarë sot dhe suksese në të ardhmen.”

 

slider-img