Prishtinë, 4 mars 2025 – Në kuadër të angazhimeve të shtuara të Këshillit Prokurorial të Kosovës për hartimin e akteve të standardizuara nënligjore, Grupi punues për hartimin e draftit të Udhëzimit Administrativ për Caktimin e Normës Orientuese për Prokurorët e Shtetit, i kryesuar nga Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, në përbërje të të cilit janë anëtarët e KPK-së: Veton Shabani dhe Visar Krasniqi, si dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Enis Gashi, mbajti sot takimin e parë të tij.

Me këtë rast, z. Bahri Hyseni, theksoi se qëllimi i takimit të sotëm është diskutimi fillestar për hartimin e draftit të Udhëzimit Administrativ për Caktimin e Normës Orientuese, me të cilin përcaktohet norma orientuese vjetore për kryerjen e lëndëve për prokurorët e departamenteve të të gjitha prokurorive që funksionojnë në vendin tonë.

Më tej, ky grup punues trajtoi aktet që janë aktualisht në fuqi, të cilat kanë të bëjnë me caktimin e normës orientuese dhe në vijim zhvilloi diskutime për konceptin dhe metodologjinë hartuese të këtij akti të rëndësishëm normativ mbi bazën e standardeve dhe praktikave më të mira.